Në botën intelektuale

Para një audience të zgjedhur të personaliteteve akademike, Agim Çeku u shpreh i bindur në fitoren e tij me 3 nëntor. Ai tha se e ka të qartë fuqinë e intelektualëve për të ndryshuar gjërat. E tani, sipas tij, është koha për ndryshime.

Lajme

13/10/2013 19:17

Agim Çeku u shpreh i emocionuar, para një paneli personalitetesh nga jeta akademike, para të cilëve ai shpalosi programin e tij zgjedhor.

Përkrah kishte Kryetarin e PDK’së, Hashim Thaçi, ndërsa përballë, në të dy anët e tribunës së Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, një audience të zgjedhur të personaliteteve publike. Para tyre  Agim Çeku tha se ndihet i privilegjuar për mundësinë që i është dhënë që të jetë kandidat i PDK’së për Kryeqytetin, duke u shprehur i bindur edhe në fitoren e tij me 3 nëntor.

“Ndihem mirë edhe i privilegjuar që Kryetari Thaçi më ka nominuar mua si Kandidat për Kryetar të Prishtinës”.

“Po e shoh entuziazmin e njerëzve për vizionin tonë. Fitorja po vjen, fitorja është afër, dhe ne do ta qeverisim Prishtinën”.

“Prishtina përveç se është Kryeqyteti i Kosovës, është kryeqendra e ngjarjeve historike që e kanë ndryshuar dhe e kanë bërë historinë tonë”.

“Duhet t’i kujtojmë ngjarjet e vitit 1968, 1981, ngjarjet e dhunshme të 1988, 89’, 90, 97’. Të gjitha këto ngjarje e kanë përcaktuar rrugën e lirisë, rrugën e pavarësisë. Zanafilla e këtyre ngjarjeve është këtu në Universitetin e Prishtinës, jeni ju intelektualët e Kosovës, ata që keni qenë ideatorë, kreatorë e edukatorë të brezave të tërë, që historia jonë dhe fati jonë të ndryshojë”.

Çeku vlerësoi lart angazhimin e intelektualëve të Kosovës si gjenerator të ndryshimeve në Kosovë.

“E di sa e madhe është fuqia e intelektualëve për të ndryshuar gjërat. Andaj doja që t’ju takoja, jo vetëm për t’ju kërkuar votën, por në radhë të parë për të kërkuar mendimin e tuaj, idetë tuaj se si ne mund të qeverisim Prishtinën”.

“Ju jeni njerëz të ndryshimeve. Ju kërkoni ndryshime dhe do të përkrahni ndryshimet. Asnjëri nga ju nuk mundet të jetë indiferent ndaj degradimeve dhe dëmtimeve që i janë bërë Prishtinës. Ne jemi ata që do ta ndryshojmë Prishtinën”.

“Programi jonë i jep përgjigje dhe ofron zgjidhje për  të gjitha problemet e qytetarëve tonë. Ne konsiderohemi si parti e ndryshimeve. Ne jemi parti e fjalës, jemi parti që kryejmë punë”.

Kryeministri Hashim Thaçi, që ishte në mbështetje të Çekut, vlerësoi lart personalitetin që PDK i ka ofruar Prishtinës për Kryetar.

“Prishtina ka fat dhe është e bekuar që e ka një njeri si Çeku, kandidat në këto zgjedhje, një njeri që e njeh dhe e respekton bota demokratike, një njeri që ka punuar në kultivimin e konsensusit politik dhe qytetarë, një njeri që e kam thënë edhe ditë më parë, që  përgatiti pavarësinë e pastaj ne të tjerët e bëmë”.

“Një njeriu që i atribuohen vlerat e një burrështetasi të respektuar, një njeriu që ka bërë ndryshime dhe ka kryer me përgjegjësi të plotë të gjitha obligimet, më të rëndësishme në jetën e tij dhe të kombit tonë”.

Thaçi tha se zgjedhjet e vitit 2013 janë zgjedhje jashtëzakonisht të rëndësishme për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës.

“Këto zgjedhje janë test europian për shtetin tonë të ri, që kemi arritur ta konsolidojmë, ta forcojmë të sigurojmë 105 njohje ndërkombëtare dhe të punojmë në rrugë të sigurt të gjithë së bashku për t’u integruar në NATO, BE e në institucione të tjera ndërkombëtare”.