Ndryshon Stil

Shpend Ahmeti ndryshon mënyrën e fushatës, në fund. Pesë ditët e fundit do t’i kalojë në Sheshin e Prishtinës, për t’ua shpjeguar qytetarëve në detaje alternativën qeverisëse të Vetëvendosjes.

Lajme

28/10/2013 21:41

Vetëvendosje ka vendosur që ta ndryshojë mënyrën e fushatës, në pesë ditët e fundit – sa kanë mbetur deri në fund të saj.

Shpend Ahmeti, i cili po garon me VV për ta marrë Prishtinën, këto ditë, do të rrijë në Sheshin e Kryeqytetit, në mënyrë që  qytetarët të njihen për së afërmi me programin dhe kandidatët e VV’së.

Aty kanë vendosur tenda, ku do ta prezantojnë programin, ndërsa çdo ditë, nga ora 10:00 deri në 18:00, do të njoftojnë në detaje për alternativen e tyre qeverisëse, e qytetarët do të mund të flasin me Shpendin dhe Ekipin e tij.

“Me këtë dëshirojmë që qytetarët të kenë mundësi që këto pesë ditët e fundit të fushatës të vijnë dhe bisedojnë me ekipin tonë. Nëse kanë edhe pyetje përfundimtare, në lidhje me programin tonë, t’ua japim atë mundësi”, ka shpjeguar Ahmeti.

“Fushatën tonë, ashtu si qeverisjen tonë, do ta karakterizojë transparenca, diskutimet e vazhdueshme me qytetarë, ku secili qytetar që do të bëjë pyetje në lidhje me lagjen e vet dhe programin që e pret me qeverisjen e VV në Prishtinë, mund ta bëjë edhe tani para zgjedhjeve por menjëherë edhe pas zgjedhjeve dhe atëherë do të jetë edhe më mirë sepse do të flasim për zgjidhjen e problemeve, që i kanë që disa vite”.

Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën ka thënë se ka gjëra specifike dhe politika konkrete dhe se tani nevojitet vetëm një numër sa më i madh i qytetarëve që të dalin me 3 nëntor të votojnë.

Kjo, sipas tij, është shumë e rëndësishme për demokracinë dhe ndryshimin që duhet të ndodhë.

Shpend Ahmeti ka ftuar qytetarët që më 3 nëntor të dalin të votojnë, duke i siguruar ata se do t’ua mbrojnë votën e tyre.

Dardan Sejdiu, po ashtu, ka thënë se alternativa e Vetëvendosjes ofron zgjidhje konkrete për problemet e Prishtinës.

“Alternativë kjo që ofron zgjidhje konkrete për problemet e qytetit të Prishtinës. Alternativë kjo që së bashku me një organizatë si VV, e bën këtë të mundshme, për zgjidhjen e problemeve të Prishtinës, diçka që mund të bëhet brenda një mandati, prej një Kryetari të mirë, me një plan të mirë dhe një ekip të mirë.”

“Ideja e tendave në Shesh është që pesë ditët e fundit të fushatës, të flasim me qytetarë, t’ua shpjegojmë në detaje alternativen e Shpendit për Prishtinën. Në këtë formë të mobilizojmë, sa më shumë qytetarë, që më datën 3 nëntor të dalin në numër të madh dhe të votojnë për ndryshimet që i duhen kaq shumë Prishtinës”, ka thënë Sejdiu.