Ndërrimi i shpeshtë i ministrave të MPB-së, a po rrezikohet anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL?

Që nga muaji prill i këtij viti, në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë ndërruar tre ministra.

Lajme

19/10/2018 13:12

Partisë së Behgjet Pacollit si duket nuk po i ecën mirë me ministra, pasi brenda një viti vetëm në Ministrin e Punëve të Brendshme, shkarkoi e emëroi tre ministra.

Në muajin prill ishte ministri Flamur Sefaj, ai i cili dha dorëheqje të parevokueshme nga ky post, për shkak të deportimit të shtetasve turq nga Kosova. E më pas në krye të MPB-së erdhi Bejtush Gashi, raporton lajmi.net.

Por, Gashi e gëzoi këtë post vetëm pesë muaj, pasi kryeministri Ramush Haradinaj, me kërkesë të AKR-së e shkarkoi atë nga detyra për shkak të performancës së dobët.

E menjëherë në vendin e tij u emërua Ekrem Mustafa.

Ky ndërrim i shpeshtë i ministrave sipas analistëve mund të ndikoj edhe në anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Analisti politik Imer Mushkolaj, vlerëson se ky ndërrim i shpeshtë i ministrave të Brendshëm ndikon në pranimin e Kosovës në INTERPOL, pasi që sipas tij, kjo tregon edhe joseriozitet të shtetit tonë.

Mushkolaj ka thënë për lajmi.net, se për INTERPOL-in nuk është e rëndësishme kush është ministër, por që ndërrimi i shpeshtë i tyre përçon një mesazh jo të mirë për Kosovën.

“Logjikisht ndërrimi i shpeshtë i ministrave të Punëve të Brendshme ndikon në pranimin e Kosovës në INTERPOL. Dhe kjo tregon njëfarë jo serioziteti në qasjen që ka shteti i Kosovës. Tash s’po flasim për ministri e emra të ministrave, tek e fundit nuk është e rëndësishme për INTERPOL-in kush është ministër, nëse dërgohet informacioni se ne brenda një kohe të shkurtër i kemi pasur në Ministrinë e Brendshme ndërrime të tre ministrave, kjo me të vërtetë është një mesazh i keq”, ka thënë Mushkolaj për lajmi.net, i cili shtoi se kjo është pothuajse e njëjta sikurse në çështjen e sistemit të drejtësisë të ketë ndërhyrje të politikës.

“Njësoj edhe këtu është, pra po flasim për qasje totalisht jo serioze karshi një ministrie shumë të rëndësishme siç është Ministria e Punëve të Brendshme, e cila bëhet në një moment shumë delikat siç është në pranimin e Kosovës në INTERPOL”, deklaroi tutje Mushkolaj.

Ai thotë se e tërë kjo po bëhet për apetite politike dhe jo për interes të shtetit të Kosovës.

“Kjo po duket se apetitet individuale e partiake janë më të forta se sa interesi shtetëror që do të nënkuptonte një stabilitet i funksionimit të institucioneve në këtë rast edhe të ministrisë sidomos para momenteve të rëndësishme siç mund të jetë pranimi i Kosovës në INTERPOL”, është shprehur Mushkolaj.

Mirëpo, krejt ndryshe mendon njohësi i çështjeve të sigurisë Avni Islami.

Sipas tij ndërrimi i shpeshtë i ministrave të Punëve të Brendshme nuk ndërlidhet me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL pasi që siç shprehet ai, politika e jashtme e qeverisë nuk ndikon në ndërrimin e ministrave.

Ai për lajmi.net ka thënë se ndërrimi i shpeshtë i ministrave do të ndikonte më shumë në politikat e brendshme se sa në politikat e jashtme.

“Edhe pse ministrat po  ndërrohen shpesh dhe nuk është mirë që të ndërrohen shpesh, mendoj se në anëtarësimin e Kosovës në organizmat e sigurisë, siç është rasti në organizatën më të madhe të INTERPOL-it, nuk besoj se ka të bëj apo nuk do të ndikoj negativisht për shkak se ajo nuk ndërlidhet me individin por me punën dhe rëndësinë që Kosova të jetë pjesë e një organizate ndërkombëtare siç është INTERPOL-i”, deklaroi Islami për lajmi.net i cili shtoi, se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL do të ishte edhe në interes të kësaj organizate dhe jo vetëm në interes të Kosovës.

“Pra pavarësisht janë ndërruar shpesh kohëve të fundit ministrat e Punëve të Brendshme, ajo nuk do të ndikoj negativisht në kërkesën e Kosovës për anëtarësim në organizatën më të madhe të INTERPOL-it”, është shprehur Islami.

Sipas tij, posti i ministrit të Brendshëm është post politik dhe se nga kjo nuk varet profesionalizmi i policisë e që sipas tij, as ndërrimi i shpeshtë i ministrave nuk do të ketë implikime negative në profesionalizmin e Policisë së Kosovës.

Kujtojmë, se në mbledhjen e sotme Qeveria ka ndarë 1.2 milion euro për lobim për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL. /Lajmi.net/