Nafta e Ballshit që ka hyrë në Kosovë, është e ndaluar për tregun në Shqipëri

Nafta e nxjerrë nga Rafineria e Ballshit në Shqipëri, e cila muajin e fundit është futur në tregun e Kosovës, ishte ndaluar për tregun shqiptar qysh në muajin mars të këtij viti, për shkak se autoritetet shqiptare kompetente, pas analizave të bëra, kishin konstatuar nivelin e lartë të squfurit.

Lajme

29/10/2014 14:23

Lajmi.net, një ditë më parë, duke u bazuar në burime të sigurta të Doganës, ka raportuar se në Kosovë, me lejen e disa inspektorëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është duke u futur në mënyrë të pakontrolluar naftë e cilësisë së dobët, sidomos ajo e prodhuar në Ballsh të Shqipërisë, që sipas rezultateve laboratorike rezulton të jetë shkatërruese për veturat dhe e dëmshme për ambientin në të cilin jetojmë. 

Por Ministria e Tregtisë dhe industrisë (MTI) insiston se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, dhe se trupat inspektuese të kësaj ministrie janë në nivel të detyrës së tyre, pavarësisht vakuumit institucional, të cilët sipas Doganave, inspektorët e kanë shfrytëzuar sidomos gjatë këtij muaji.   

Lulzim Demolli, zëdhënës për informim në MTI, ka demantuar alarmin e dhënë nga Doganat, duke thënë se çdo naftë që importohet në Kosovës, kontrollohet nga  trupat inspektuese të MTI-së.

Ai ka thënë se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë  ka të angazhuar trupat për vlerësimin e  konfirmitetit dhe ka autorizuar edhe laborator të cilët e kontrollojnë cilësinë e naftës dhe derivateve të saj.

Njëkohësisht, sipas tij,  ministria sipas standardit europian merr mostra dhe të njëjtat i dërgon në laboratorët e akredituar, shpeshherë edhe jashtë vendit, për t’i parë dhe analizuar produkte e naftës.

“Sipas  rezultateve të analizave  që kemi bërë këtë vit, vetëm dy analiza kanë tejkaluar standardin e përcaktuar nga MTI, dhe lënda tash është në gjykatë. Fjala për Ballsh dhe për një emërtim  të një kompanie që eksporton apo që ne importojmë nga ajo kompani, janë vetëm fjalë. Nafta që hynë në Kosovë përmes rrugëve zyrtare kontrollohet. Asnjë naftë apo derivat i saj që nuk i plotëson standardet, nuk hynë në Kosovë, pavarësisht se kush e prodhon”, ka thënë Demolli.

Megjithëktë, një zyrtar i lartë i Doganave të Kosovës, i cili ka folur një ditë më parë, ka paraqitur të mërkurën edhe provat se si inspektorë të MTI-së, për një arsye a tjetër po e tolerojnë futjen e naftës pa e kontrolluar, duke u bazuar vetëm në të dhënat që kompanitë shënojnë në dokumentacionet e deklaruara doganore, por që nuk përkojnë më cilësinë reale të naftës që sjellin.

Në mars të këtij viti, institucionet e Shqipërisë kishin marrë masa ndaj “Albanian Refining and Marketing of Oil Sh.A.” (ARMO) për nivele të larta të squfurit në naftë. 

Në atë kohë, emisioni investigativ Fiks Fare i Top Channel, kishte raportuar se “nafta që del nga ARMO ka përqindje squfuri disa herë më shumë se norma që parashikon ligji.

Emisioni “Fiks Fare” kishte sjellë fakte mbi cilësinë e naftës që del nga rafineria e ARMO-s në Ballsh.

Në ndërkohë, raportohet se nafta e cilësisë së dobët nga Ballshi i Shqipërisë është duke u future në tregun e Kosovës, nga analizat laboratorike mësohet të ketë nivele jashtë standardeve për lubricitet dhe djegie.