Mustafa: Washingtoni e Brukseli presin fitoren e demokracisë

Isa Mustafa komenton deklarimet e kreut të PDK-së Hashim Thaçi. Ai i përkujtoj se Washingtoni dhe Brukseli presin që në zgjedhjet e ardhshme të fitojë demokracia në Kosovë. Mustafa nuk la pa ja përmendur Thaçit edhe disa nga skandalet që kanë ndodhur gjatë qeverisjes së tij.

Lajme

04/05/2014 19:35

Kreut të LDK-së, Isa Mustafa, si duket nuk i kanë pëlqyer deklarimet e Kryeministrit, njëherësh kryetarit të PDK-së, i cili sot në Gjilan deklaroi se “fitoren e PDK-së më 8 qershor, e pret Washingtoni dhe Brukseli”.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa i ka përkujtuar Hashim Thaçit, se vendet mike të Kosovës, e presin “fitoren e demokracisë”.

“E përkujtoj z. Thaçi se Brukseli dhe Ëashingtoni presin fitoren e demokracisë në Kosovë. Ata nuk përcaktojnë se kush duhet të jetë fituese, por këtë e përcakton vullneti i qytetarëve të Kosovës”.

“Brukseli dhe Washingtoni kanë kërkuar të funksionojë shteti ligjor në Kosovë, të luftohet korrupsioni dhe të sigurohet liria e plotë qytetare”.

Mustafa nuk ka lënë pa ja përkujtuar Thaçit edhe “skandalet” që kanë ndodhur gjatë qeverisjes së tij, duke përfshirë këtu edhe vjedhjen e dhomës së dëshmive në polici por dhe rastin e pasaportave.

“Qeverisja e PDK-së e ka rrënuar shtetin ligjor e ka kultivuar korrupsionin dhe e ka ngulfat fjalën e lirë. Është vjedhur dhoma e dëshmive në objektet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, është korruptuar procesi i shtypjes së pasaportave; ekzekutivi vendosë se kush duhet të burgoset e kush të prangoset, e jo shtylla e drejtësisë.”

“Brukseli dhe Washingtoni kanë kërkuar që të themelohet Gjykata speciale për të trajtuar raste të rënda të krimit në Kosovë”.

“Në këto zgjedhje do të fitojë demokracia dhe fryma e shtetit ligjor. Ata që e degraduan këtë vend dhe kultivuan shtet policor nuk i nevojiten as Brukselit dhe as Washingtonit”, ka shkruar në Facebook, Isa Mustafa.