Mustafa: Urime Pashkët!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë dhe krerët e komuniteteve fetare, të cilët sonte kremtojnë Festën e Pashkëve.

Lajme

26/03/2016 18:25

Ndër tjerash në urimin e kryeministrit Mustafa, thuhet se “me rastin e Festës së Pashkëve, iu shpreh urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve të krishterë, të cilët kremtojnë sonte këtë festë të madhe.”

Sipas kryeministrit, me mesazhet e saj të shenjta, Festa e Pashkëve, mbush shpirtin dhe mendjen e njerëzve anekënd botës plotë me shpresë, gëzim dhe dashuri.

“Festa e Pashkëve, me vlerat dhe virtytet e panumërta që risjell në mendjet tona, na frymëzon dhe na e forcon besimin dhe optimizmin se e mira do të triumfojë gjithmonë mbi të keqen, dashuria mbi urrejtjen, paqja mbi luftën dhe dhunën shumëformëshe.”

Mustafa vlerëson se Festa e Pashkëve sivjet ka një vlerë dhe përjetim të posaçëm në Kosovë dhe vendet tjera me shqiptarë.

“Sepse në shtator do të përjetojmë nderin dhe kënaqësinë e shenjtërimit të Nënës tonë Terezë, simbolit glob al të humanizmit, mirësisë dhe dashurisë vetëmohuese për njeriun.”

“Ta festojmë me gëzim e me besim në të ardhmen këtë festë të shenjtë. Për shumë mot Pashkët”, thuhet në fund.