Mustafa: Anëtarësimi i Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave, lajm i jashtëzakonshëm

Kosova prej sot është zyrtarisht anëtare e Organizatës Botërore të Doganave, me seli në Bruksel.

Lajme

03/03/2017 14:17

Lajmin për anëtarësimin e Kosovës në Konventën themeluese të Këshillit për Bashkëpunim Doganor dhe Organizatën Botërore të Doganave e kanë bërë publik në një konferencë për media kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Në konferencë, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe drejtori i Doganave, Bahri Berisha, kryeministri Mustafa tha se ky anëtarësim ka rëndësi të madhe për Kosovën.

“Anëtarësimi në këtë Organizatë është tepër i rëndësishëm për rrugën e anëtarësimit tonë të mëtutjeshëm në organizatat e jashtme, është një anëtarësim gati i barasvlershëm me anëtarësimin në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, që lidhet me zhvillimin tonë ekonomik dhe financiar.  Ky anëtarësim ka rëndësi të madhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit, për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar, për avancimin e raporteve ekonomike dhe tregtare të Kosovës me të gjitha shtetet e botës, anëtare të kësaj Konvente, si dhe për shumë aspekte të tjera që lidhen me shtetësinë dhe progresin në Kosovë”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa ka vlerësuar punën e Ministrisë së Jashtme dhe ministrit Hoxhaj në këtë drejtim, duke uruar njëkohësisht Doganat e Kosovës, punonjësit e saj dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për këtë të arritur mjaft të rëndësishme.

Kryeministri Mustafa ka falënderuar po ashtu Qeverinë Belge dhe shumë shtete mike për përkrahjen e dhënë që Kosova të bëhet anëtare e kësaj organizate.

“Në rrafshin e jashtëm dhe të brendshëm, anëtarësimi i Republikës së Kosovës në këtë Organizatë mundëson që Dogana e Kosovës të marrë pjesë si anëtare me të drejta të plota anëtarësimi në konventa e instrumente tjera ndërkombëtare, ndihmon në tregtinë me shtetet tjera, asiston në shkëmbim të informatave dhe përvojave, përforcon sigurinë kufitare, përmirëson dhe ndihmon tregtinë e jashtme të Kosovës, në luftimin e piraterisë, ekonomisë jo formale, ndihmon në forcimin e kapaciteteve doganore, luftimin e terrorizmit dhe shumë përfitime tjera të cilat do t’i evidentojmë edhe në aspektin e të gjitha rezultateve pozitive të cilat ne i arrijmë, por edhe ndaljen e dukurive negative, për të cilat nuk kemi mundur të arrijmë të kemi qasje pa qenë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare. Organizata Botërore e Doganave (OBD) është organizatë ndërqeveritare e themeluar në vitin 1952 si Këshill i Doganave për Bashkëpunim. Sot, kjo organizatë botërore përbëhet nga 181 shtete përkatësisht 181 administrata doganore anembanë globit”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur përkushtimin për të punuar me përkushtim të plotë për anëtarësimin në organizata tjera.

“Uroj që të kemi një këmbë të mbarë në anëtarësimin në organizata tjera derisa të bëhemi edhe anëtar të Kombeve të Bashkuara”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, theksoi dy sukseset e mëdha që ka arritur Kosova këtë javë në politikën e jashtme.

“Ne kemi filluar këtë javë me një lajm të fuqishëm, të hënën me njohjen e Bangladeshit, dhe përfundojmë këtë javë, të premten me një anëtarësim, i cili është prej anëtarësimeve më të rëndësishme për Republikën e Kosovës”, tha ministri.

Ministri Hoxhaj tha po ashtu se Kosova tashmë është bërë shteti i 181 i Organizatës Botërore të Doganave dhe se ky është një lajm i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe për tregtinë e jashtme.

“Ju e dini që politika e jashtme dhe tregtia e jashtme shkojnë së bashku dhe është një lajm ku Kosova realisht bëhet pjesë e 181 administratave doganore dhe e 98 për qind të tregtisë botërore, që do të thotë se është një  arritje shumë e madhe. Qëllimi ynë është që përmes anëtarësimit të Kosovës në organizatat e kësaj natyre, ne mbi të gjitha synojmë që t’i përmbushim kërkesat tona të brendshme. Pra, qëllimi ynë që ta ndjekim një politikë të jashtme, e cila i përmbush nevojat e brendshme, kërkesat e brendshme dhe zhvillimi ekonomik, përmirësimi i raporteve tregtare mes Republikës së Kosovës me vendet tjera si dhe roli që mund ta ketë një anëtarësim i tillë në parandalimin e fenomeneve si terrorizimi, ekonomia joformale, janë shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës”, tha Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm, po ashtu, foli për punën e gjatë që është dashur deri në arritjen e mbështetjes së shumë shteteve anëtare, duke falënderuar në veçanti Belgjikën, ministrin e Jashtëm belg,  Didier Reynders dhe shumë diplomatë belgë dhe të shteteve tjera mike të cilët kanë pasur një rol vendimtar në mbështetjen e Kosovës, që të bëhet anëtar i plotë i kësaj organizate.

“Përtej përmbushjes së kërkesave të brendshme që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, me modernizimin shoqëror, qëllimi ynë është që ta ushtrojmë sovranitetin, jo vetëm që të bëhemi pjesë e një organizate, po që aty ta ushtrojmë sovranitetin tonë”, tha ministri Hoxhaj, duke vlerësuar se Doganat e Kosovës, së bashku me Policinë e Kosovës, janë prej institucioneve më të mira që ka Republika e Kosovës dhe krejt Evropa Juglindore.

Andaj, siç u shpreh ministri Hoxhaj, përkundër vështirësive për sigurimin e votave, për diplomatët kosovarë ka qenë një punë e lehtë që të bindim shtetet anëtare për shkak të punës brilante që po bën ky institucion në kufijtë e Republikës së Kosovës.

“Pas FMN-së, kjo është organizata e dytë më e rëndësishme për nga anëtarësia, ndërsa unë dëshiroj t’ju them që me mbështetjen e kryeministrit Mustafa, nën lidershipin e tij, ne do të bëjmë përpjekje që gjatë këtyre muajve të ardhshëm të kemi edhe anëtarësime të tjera”, tha ministri Hoxhaj.