Mosdalja rrezikon Veriun

Ivica Dacic u ka bërë thirrje serbëve të Veriut që të marrin pjesë në numër sa më të madh në përsëritjen e zgjedhjeve më 17 nëntor, në tri vendvotime në Veriun e Mitrovicës.

Lajme

10/11/2013 14:51

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka ftuar serbët e Veriut që të marrin pjesë në rivotim, në të kundërtën, sipas tij, mund të rrezikohet formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe.

Dacic, në një intervistë për televizionin serb ‘Nova’, ka thënë se serbët duhet të mobilizohen më 17 nëntor për të votuar për kandidatin serb për Kryetar të Veriut të Mitrovicës.

“Përballemi më një situatë mjaft të qartë. Nuk ka pasur dëmtim të votës në vendvotimet e shqiptarëve, por të serbëve. Dihet sesa kanë fituar shqiptarët, kështu që nëse edhe serbët dëshirojnë të fitojnë diçka, atëherë  duhet të dalin në zgjedhje”.

Dacic ka thënë se plani është që Selia e Bashkësisë së Komunave Serbe të jetë në Veriun e Mitrovicës.

“Në këtë bashkësi pritet të jenë 10 komuna, me mundës të përfshirjes edhe të Gorës”.

“Nëse nuk do të marrim pjesë tani në zgjedhje, nuk do të kemi Veriun e Mitrovicës dhe i gjithë ky koncept do të rrënohet”.