Morën mijëra euro me dhunë e kanosje, arrestohen 2 të rinj

Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy të rinj dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë me akuzën e shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie.

Lajme

26/04/2016 22:58

Burime zyrtare nga blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se gjatë operacionit të koduar “EKLIPSI”, Seksioni për Krimet Kundër Pronës arrestoi në flagrancë shtetasit: R.A. 18 vjeç dhe Luan Lama, 19 vjeç, të dy banues në Tiranë. Gjithashtu u shpallen në kërkim shtetasit: F.Gj., 29 vjeç dhe I.Sh., 19 vjeç.

Këta shtetas prej një periudhe pesë mujore dyshohen se i kanë marrë të dëmtuarit E.B. me anë të dhunës dhe kanosjes një shumë prej 26 mijë eurosh dhe po tentonin t’i merrnin edhe një shumë tjetër prej tri mijë eurosh. Në momentin që po tentonin të merrnin shumën e parave, ata janë kapur në flagrancë në Rrugën e Barrikadave”, pranë gjimnazit “Sami Frashëri”.

Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan: tri aparate celulare, gjashtë karta celularësh të kompanive të ndryshme, një automjet tip “Mercedes Benz” me targë AA391LU.

Materialet procedurale do t’i dërgohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, parashikuar nga neni 109/b dhe 25 i Kodit Penal.