MKRS aplikon për anëtarësim në IFACCA

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi i ka dërguar sot letër Federatës Ndërkombëtare të Këshillave të Arteve dhe Agjencive Kulturore (IFACCA), përmes së cilës ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë. 

ShowBiz

05/12/2014 15:58

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), ka dërguar kërkesë për pranim në Federatën Ndërkombëtare të Këshillit të Arteve dhe Agjencive Kulturore (IFACCA).

Sipas një komunikate të MKRS-së thuhet se  ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ia ka dërguar sot letër Federatës Ndërkombëtare të Këshillave të Arteve dhe Agjencive Kulturore (IFACCA), përmes së cilës ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës, e konsideron kulturën si një mekanizëm për të ndikuar në zhvillimin demokratik të vendit, si dhe një mjet për riafirmimin e identitetit kulturor të Kosovës”.

“Në këtë kontekst, promovimi i dialogut ndërkulturor mbetet një prioritet për MKRS Debati për politikat ndërkombëtare dhe dialogu janë të rëndësishme për komunitetet artistike dhe kulturore të vendit tonë, dhe ne vazhdimisht përpiqemi për të krijuar më shumë mundësi në këtë drejtim”.

“Lidhur me këtë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës do të jetë e nderuar për t’iu bashkuar Federatës Ndërkombëtare të Këshillave Artistik dhe Agjencive Kulturore (IFACCA) dhe të bëhet një anëtar i një organizate të tillë frymëzuese dhe të shquar”.

“Ne besojmë se duke u bërë një anëtar i IFACCA ne do të avancojmë vendin e Kosovës në artin dhe kulturën rajonale dhe ndërkombëtare”, shkruan ndër të tjera ministri Krasniqi në letrën drejtuar drejtoreshës ekzekutive të IFACCA’s, Sarah Gardner.

IFACCA është një rrjet global Këshillave dhe Ministrive të Kulturës nga e mbarë bota dhe është themeluar para 13 vjetësh. Synim kryesor ka përmirësimin e kapaciteteve të agjencive financuese të kulturës,  mbështetjen për artistët, ndërtimin e një rrjeti të bashkëpunimit në fushën e kulturës, promovimin e diversitetit, etj.

IFACCA ka 131 anëtarë duke përfshirë Ministritë e Kulturës nga shumica e vendeve të botës si dhe këshilla e organizata të rëndësishme kulturore nga vende të ndryshme.