Ministri Ismaili lufton keqpërdorimin e buxhetit të shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, është deklaruar rreth rastit të fundit mbi dyshimet e shpërdorimit të parasë publike në sektorin shëndetësor gjatë vitit 2016-2017.

Lajme

23/03/2018 18:34

Ismaili ka thënë se së fundi është njoftuar për këtë rast, duke shtuar se është kërkuar dhe ka filluar auditimi i këtij procesi nga njësia e brendshme e auditimit të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe në bazë të kërkesës së Agjencisë Kundër Korrupsionit është deponuar e gjithë lënda në këtë Agjenci.

“Sot është njoftuar edhe Policia e Kosovës dhe presim reagim nga të gjitha organet relevante që abuzimet e mundshme të parasë publike të zbulohen sa më pare”, ka thënë Ministri Ismaili.

Më tej, ai ka treguar se tashmë janë suspenduar dhe vënë para komisioneve disiplinore edhe disa zyrtarë të dyshuar në lidhje me këto keqpërdorime.

Ismaili ka pohuar se çdo euro e keqpërdorur do të kthehet në vendin e vet.

“Si Ministër i Shëndetësisë, zotohem se nëpërmjet mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrjes rigoroze, të cilat tashmë i kemi filluar, çdo euro e keqpërdorur e shtetit do të kthehet në buxhetin e shtetit”, ka thënë ai.

Gjatë ditës së sotme është raportuar se rreth 400 mijë euro që janë shpenzuar nga buxheti i Ministrisë se Shëndetësisë, e që nuk ka asnjë arsyetim se ku kanë shkuar ato, në kohën kur këtë Ministri e ka udhëhequr Imet Rrahmani i LDK-së.