Ministri Bytyqi fillimisht ka falënderuar ambasadorin Maksymiuk për mbështetjen që Kanadaja i ka dhënë Kosovës në çdo aspekt, e në veçanti në fushën e arsimit, ndërsa ka theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit reciprok të institucioneve akademike, njofton Klan Kosova.
”Ne jemi të angazhuar që të ndërtojmë një sistem të mirë arsimor, të bëjmë reformat e duhura dhe të përafrojmë sistemin tonë arsimor me atë të vendeve të zhvilluara “, ka thënë ministri Bytyqi.
Ai ka përmendur prioritetet që MAShT-i i ka vënë para vetes për t’i realizuar duke thënë se në mënyrë që kjo të ndodhë plotësisht, duhet edhe përkrahja e partnerëve ndërkombëtarë, pra edhe e Kanadasë, si një vend që ka një sistem të zhvilluar arsimor.
Ministri Bytyqi, ndër tjera, përmendi nevojën e përfshirjes të sa më shumë të fëmijëve në edukimin e hershëm, trajnimin e mësimdhënësve, si dhe ndërlidhjen e mësimit teorik me atë praktik.
“Ndër temat kryesore që u diskutuan në këtë takim ishte përfshirja sa më e madhe e të rinjve të komuniteteve në sistemin tonë arsimor, për çka Ministri Bytyqi theksoi se gjithë përfshirja, përkatësisht krijimi i mundësive për arsimim të të gjithëve që jetojnë në Kosovë është ndër prioritetet kryesore të MAShT, ku edhe janë bërë hapat e duhur për rregullimin e infrastrukturës ligjore”, shkruan në komunikatën e MAShT.
Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për dygjuhësinë në arsim, për çka ministri Bytyqi e informoi Ambasadorin se në Kosovë ofrohet arsimim në të gjitha gjuhët e komuniteteve që në jetojnë në Kosovë.
“Me angazhimin dhe përkushtimin tonë dhe me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe të vendit tuaj, besoj se do të kemi sukses në realizimin e prioriteteve që kemi renditur” , ka shtuar Bytyqi.
Ministri Bytyqi dhe ambasadori Maksymiuk u dakorduan që të fillohet sa më parë bashkëpunimi me projekte konkrete në fushën e edukimit.