Mediat italiane: Shqiptarët, lidhje me drogën e kapur në Kolumbi

Kokaina rekord e kapur në Kolumbi një ditë më parë kishte për destinacion mes të tjerash edhe Italinë, ku mbërritja e saj mundësohej nga raportet e ngushta mes trafikanteve kolumbiane dhe familjeve mafioze shqiptare.

Lajme

17/05/2016 13:27

Bëhet fjalë për një biznes të përmasave të jashtëzakonshme, thonë mediat italiane,  ku çmimi i drogës së papërpunuar rritet në mënyrë marramendëse me pagesat që “Ndrangheta” arrin të bëjë përpara se ajo të përgatitet për t’u shpërndarë në të gjithë Europën përmes Shqipërisë dhe zonave fqinje.

“La bamba”, siç e quajnë ato, ndjek shtigje gati të paimagjinueshme në rrugëtimin e saj nga Amerika e Jugut deri në Europë, duke kaluar poshtë hundës së kontrolloreve që në shumë raste, nuk dyshojnë për asgjë.

Ish-droga e pasanikëve, me kosto mesatare 60 euro grami, është sot në dispozicion të të gjithëve.

Policia kolumbiane sekuestroi një ditë një sasi rekord prej 8 tonësh kokainë, të cilat ishin fshehur në një plantacion bananesh pranë qytetit bregdetar të Turbos.

Lënda narkotike, sipas autoriteteve vendase, i përkiste njërës prej bandave me famëkeqe kriminale në vend, klanit “Usuga”./top-channel