MBPZHR-ja dhe ‘Drini i Bardhë’ bashkëpunim në përmirësimin e sistemit të ujitjes

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në kuadër të kompetencave ligjore që ka, do të ofrojë mbështetjen për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ‘Drini i Bardhë’ .

Lajme

12/02/2016 17:39

Këtë e tha sot ministri, Memli Krasniqi, gjatë një takimi që pati me drejtuesit e kësaj kompanie, raporton lajmi.net.

Ata e njoftuan ministrin Krasniqi me sfidat që po përballen si kompani, por njëkohësisht edhe falënderuan ministrinë për mbështetjen që ka dhënë në përmirësimin e sistemit të ujitjes së tokave bujqësore në Kosovë.

“Një prej sfidave kryesore që kjo kompani ka është shlyerja e obligimeve nga ana e qytetarëve, por në veçanti fermerëve”, thuhet në njoftim.

Krasniqi theksoi se ujitja është një prej segmenteve kryesore për zhvillimin e bujqësisë dhe shtoi se po punohet shumë që të ketë sa më shpejtë një zgjidhje të përgjithshme për ujitjen e tokave bujqësore.

Ministri shtoi se do të përpiqet që të ndihmojë kompaninë, gjithnjë në bazë të kompetencave legale që ka ministria, për shlyerjen e obligimeve që kanë fermerët që furnizohen nga kjo kompani./lajmi.net.