Mbi gjysmë milioni kosovarë, presin falje të borxheve

Sipas zyrtarëve të Ministrisë se Financave , raporti përfundimtar për shumën e borxheve do të publikohet javën e ardhshme.

Lajme

13/02/2016 15:49

 

Rreth 520 mijë vlerësohet të jetë numri i qytetarëve të Kosovës që kanë borxh ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike me një vlerë monetare rreth 680 milionë euro, e që qeveria tashmë ka vendosur t’ua falë.

Edhe pse sipas zyrtarëve të Ministrisë se Financave , raporti përfundimtar për shumën e borxheve do të publikohet javën e ardhshme.

Për faljen e borxheve, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim në muajin shkurt të vitit të kaluar, kurse në muajin shtator ishte miratuar Ligji për Faljen e Borxheve Publike, me anë të të cilit përcaktohen kriteret dhe procedurat për faljen e borxheve publike për personat fizik dhe juridik deri më 31 dhjetor të vitit 2008.

Agim Dibrani, këshilltar i ministrit të Financave, tha se komisioni ka hartuar listat e obligueseve të cilët lirohen nga borxhet për periudhat e caktuara. Raporton Evropa e Lirw, transmeton lajmi.net.

Dibrani thotë se vetëm në Korporatën Energjetikë të Kosovës borxhi llogaritet të jetë rreth 362 milion euro.

Por, sipas zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, borxhi i konsumatorëve ndaj kësaj korporate është rreth 255 milionë euro.

Kjo korporatë tashmë ka dërguar në Distribucionin e Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), listat e 63 mijë konsumatorëve për fshirjen e borxheve me automatizëm, me një vlerë prej rreth 25 milionë euro, ndërkaq kanë mbetur edhe 170 mijë konsumatorë më 230 milionë euro.

Ndryshe, Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv për Shërbimet në Korporatën Energjetike të Kosovës, thotë se kjo kompani ka publikuar listat e borxhlinjve kurse komisioni i formuar bën shqyrtimin e të gjitha ankesave eventuale.

Sipas tij, borxhlinjtë më të mëdhenj janë konsumatorët e amvisërisë.

“Pjesa më e madhe e borxhit i takon konsumatorëve të amvisërisë, pastaj bizneset për shkak të strukturës se tyre, kurse industria pothuajse është zero”./lajmi.net