Materiali nga Veriu është në Prishtinë

Valdete Daka thotë se materiali zgjedhor nga Veriu ka mbërritur në Prishtinë dhe ai ndodhet në depon e KQZ’së. Ende nuk dihet gjendja e këtij materiali.

Lajme

04/11/2013 23:04

Valdete Daka, Kryetare e KQZ’së, në një konferencë për media të mbajtur në orët e mbrëmjes, në të cilën ka shpalluar rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, ka deklaruar se materiali zgjedhor për tërë pjesën veriore të Kosovës ka mbërritur në Prishtinë dhe ai është në depon e KQZ’së.

Daka ka thënë se institucioni që ajo drejton do të dalë me informacione lidhur me gjendjen e këtij materiali, sapo ai të procedohet.

“Materiali zgjedhor për tërë pjesën veriore ka ardhur në Prishtinë. Është  në depon e KQZ’së”.

“Sapo të procedohet, sipas rregullave dhe procedurave të parapara, do ta dimë gjendjen e këtij materiali dhe do të dalim me informatë se sa është dëmtuar materiali dhe në cilat komuna”.

“Sipas informatave që i kemi në tri komunat, përveç në një qendër të votimit, nuk ka pasur sulme dhe dëmtim të materialit, megjithatë rezervohemi të japim ndonjë informatë zyrtare”.

Valdete Daka ka vlerësuar se Misioni i OSBE’së nuk ka dështuar në këto zgjedhje.

Ajo ka rikujtuar se roli i OSBE’së, sipas marrëveshjes, ka qenë vetëm lehtësues.

Por, Kryetarja e KQZ’së ka thënë se kanë dështuar ata që ishin përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në Veri.

“Sa i përket rolit të OSBE’së në pjesën veriore të Kosovës, sipas marrëveshjes, ka pasur rolin e lehtësuesit, e jo rol në çështjen e  sigurisë.”

“Për sigurinë, kanë qenë të thirrura institucionet tjera”.

“Se a ka dështuar OSBE në organizimin e zgjedhjeve në pjesën veriore, mendoj se jo, sepse ne i kemi 4 komuna në Veri dhe bëhet fjalë vetëm për një qendër të votimit, në të cilën pa fajin e OSBE’së është ndërprerë votimi, për shkak të sulmeve fizike që kanë ndodhur në këtë qendër të votimit”.