Masakra në Suruç: Identifikohet i dyshuari për sulmin në Turqi

Është identifikuar i dyshuari për sulmin vetëvrasës në Turqi, që vrau 32 aktivistë të rinj, ka bërë të ditur kryeministri i këtij vendi, Ahmet Davutoglu.

Bota

21/07/2015 14:02

Kryeministri turk, i cili ishte në vizitë në vendin e ngjarjes ku edhe ndodhi shpërthimi në Suruç, afër kufirit më Sirinë, tha se lidhjet ndërkombëtare dhe të brendshme të të dyshuarit janë duke u hetuar.

Sipas tij, ka një mundësi shumë të madhe që i ashtuquajturi Shteti Islamik, kishte të bëjë me shpërthimin.

Kryeministri i Turqisë tha se Qeveria tashmë është zotuar që të rrisë sigurinë afër kufirit Sirian.

“Çkado që është e nevojshme do të bëhet, kundër atyre që janë përgjegjës për sulmin”, tha kryeministri Davutoglu.

Sipas tij, ky është një sulm që kishte për synim Turqinë, shkruan BBC, transmeton lajmi.net.

Ai hodhi poshtë pretendimet se Partia qeverisëse për Drejtësi e Zhvillim (AKP) nuk ka bërë sa duhet për të luftuar militantët e ISIS-it, duke thënë se qeveria asnjëherë nuk e ka toleruar ndonjë grup terrorist. Një takim i kabinetit që do të mbahet të enjten do të shqyrtojë masa shtesë të sigurisë përgjatë kufirit me Sirinë.

Zyrtarët fillimisht kishin sugjeruar se bombarduesi mund të ketë qenë femër, por mediat lokale e kanë gjetur dikë që mendohet se kishte lidhje me sulmin.

Aktivistët e rinj të cilët ishin kryesisht studentë të universitetit, ishin duke mbajtur një konferencë për shtyp, kur bomba shpërtheu përmes qendrës kulturore. Ata kishin planifikuar që të udhëtojnë për në Siri për të ndihmuar në rindërtimin e qytetit.

Suruç është shtëpia e shumë refugjatëve të cilët kanë ikur përgjatë luftimeve të ashpra në mes të ISIS-it  dhe luftëtarëve kurdë në afërsi të Kobanës.