Maqedoni: Rreth 200 mijë qytetarë jetojnë me 65 cent në ditë

Në bazë të të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave në Maqedoni, rreth 25 për qind e popullatës jeton në varfëri, ndërsa 9 për qind e tyre jeton në varfëri të skajshme.

Lajme

30/05/2016 20:14

Banimir Jovanovski nga Lëvizja Majtiste, i cili njëherësh është i angazhuar në më shumë hulumtime që kanë të bëjnë me zhvillimet ekonomike në Maqedoni, thotë se mbi 180 mijë qytetarë të Maqedonisë jetojnë me vetëm 40 denarë në ditë, (0.65 cent)

Jovanoviç thotë se Maqedonia, me politikat e saj ekonomike favorizojnë shtresën e pasur dhe thellojnë edhe më shumë varfërinë.

“Gjatë 25 vjetëve të fundit, me shpërbërjen e Jugosllavisë në Maqedoni zhvillohen politika ekonomike, të cilat u shkojnë përshtat vetëm të pasurve dhe aspak nuk u përshtaten të varfërve. Zhvillimi ekonomik në Maqedoni sillet nga 1 deri 1.5 për qind. Nëse bëhet një analizë se ku kanë shkuar këto mjete nga rritja ekonomike, do të vëreni se të ardhurat e 99 për qind të të punësuarve plotësisht kanë mbetur në vend, ndërsa të ardhurat e 1 për qind të të punësuarve në Maqedoni, janë rritur”, thotë Jovanoviç.

Ndihma sociale në Maqedoni ka vlerë prej 5 mijë e 200 denarësh, përkatësisht rreth 85 euro – mjete këto që nuk krijojnë as minimumin e hapësirës për të dalë nga kriza një familje e varfër, sepse për të siguruar shportën mujore për një familje 4-anëtarëshe, sipas një përllogaritjeje që ka bërë Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, nevojiten 32 mijë e 274 denarë, përkatësisht rreth 525 euro./INA