Maqedoni: Përpjekje për rikthimin e dialogut mes liderëve

Diplomatët ndërkombëtarë në Shkup po zhvillojnë takime të veçanta me përfaqësuesit e katër partive kryesore për t’i ulur palët përsëri në tryezën e negociatave.

Lajme

22/06/2016 19:06

Këtë e ka bërë të ditur shefi i grupit parlamentar të BDI-së Talat Xhaferi, i cili thotë se edhe krahas përpjekjeve intensive, ende nuk është caktuar data e takimit mes përfaqësuesve të katër partive.

“Datë konkrete nuk ka por komunikimi me faktorin ndërkombëtarë, gjegjësisht me ambasadën amerikane dhe atë të BE-së është permanent”, tha Xhaferi.

Në kuadër të tentativave për të zhbllokuar negociatat, po bëhen përpjekje që nesër të realizohet një takim mes anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve me përfaqësuesit e katër partive politike dhe me diplomatët e huaj.

Në këtë takim është paraparë të formohet një grup punues lidhur me kërkesën e LSDM-së për të kontrolluar në mënyrë shtesë rreth 42 mijë votues si dhe për evidentimin e votuesve nga diaspora në një listë të veçantë./AlsatM