MAPL po i “fsheh” statutet e komunave serbe

Vlerësimi i MAPL-së, për statute komunave të katër komunave veriore ende nuk është bërë e ditur për opinion. Sazan Ibrahimi thotë se KE-ja dhe Brukseli po përdorin standarde të dyfishta për serbët.

Lajme

06/05/2014 09:24

Afati prej 30 ditësh që 4 komunat veriore të përmirësojnë statutet e tyre komunale ka përfunduar më 25 prill. Ndërkaq, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka pasur afat ligjor prej 10 ditsh që të shpalosë për opinionin publik, nëse statutet e komunave veriore janë në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Por, Sekretari i përgjithshëm i MAPL-së, Besnik Osmani thotë se Ministria ka ende kohë për të bërë një gjë të tillë.

“Komunat veriore i kanë dorëzuar statutet me përmirësime, ndërsa Ministria është ende duke i shqyrtuar ato, dhe deri në mes të muajit maj kemi kohë për t’i shpalosur”, tha ai për “Zëri”.

Ndërkaq, një zyrtarë nga Qeveria i ka thënë gazetës se statutet e përmirësuara nuk kanë pranuar simbolet e Kosovës.

“Ndryshimet janë se kanë hequr simbolet që janë në kundërshtim me ligjin e Kosovës. Por nuk i kanë pranuar as simbolet e Kosovës”.

Ndërkaq, Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, për “tolerimet” që po bëhen ndaj serbëve tek Komisioni Evropian apo dhe te Brukseli.

“A thua, a do të bënte këso tolerimesh Samuel Zbogar nëse do të ndodhte diçka e tillë me komunat shqiptare apo me institucionet e Kosovës. Po, jemi dëshmitarë se nëpër çfarë presioni kalojnë institucionet e Republikës së Kosovës për respektimin e Marrëveshjes së Brukselit, kurse këto komuna Komisioni Evropian përdorë standarde të dyfishta. Pra nuk ka presion nga KE-ja rreth mosrespektimit të Marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë ai për “Zëri”.