Lutfi Zharku mbetet pa Sekretar

Ministria e Infrastrukturës, që drejtohet nga Lutfi Zharku i LDK’së, ka mbetur pa Sekretar të Përgjithshëm.

Lajme

07/03/2017 13:56

Xhelil Bekteshi, i cili ishte zgjedhur një vit më parë në këtë detyrë është transferuar në pozitën e zëvendës drejtorit të Aviacionit Civil.

Zyrtarë brenda MI-së i kanë thënë Gazetës Fjala, se ai u detyrua ta lë postin për shkak të presionit politik që të lëshojë punën.

Por, Bekteshi i cili në të kaluarën ka dëshmuar se ka një përkrahje të fortë të Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë të jetë transferuar me vetë dëshirë.

Ai para se ta merrte këtë detyrë ka qenë këshilltar politik i ministrit Zharku. Derisa vite më parë, Bekteshi ka qenë edhe drejtor i buxhetit të komunës së Prishtinë, në kohën kur Isa Mustafa ishte kryetar. Bekteshi aktualisht është edhe nënkryetar i Degës së Pestë të LDK’së.

“Është bërë një transfer. Nuk kam pasur presion nga askush. Tash është hapur konkursi dhe e shihni kush zgjidhet”, ka thënë ai duke mohuar pretendimet e ndryshme për largimin e tij.

Megjithatë, janë ngritur dyshime se largimi i tij është bërë me qëllim për ti lëshuar rrugë, Burim Sylejmanit, të preferuarit të kryetarit të Podujevës, Agim Veliu.

Ai ishte në garë edhe herën e fundit kur Bekteshi u emërua në pozitën e sekretarit.

Në Ministrinë e Infrastrukturës kanë zgjedhur të heshtin për këtë çështje dhe nuk janë përgjigjur në pyetjet e Gazetës Fjala.

Aktualisht në këtë institucion është caktuar ushtrues detyre, Nebih Shatri, drejtor i Departamentit të Automjeteve.

Telashi me sekretarët e ka përcjellë në vazhdimësi Ministrinë e Infrastrukturës. Burime brenda institucionit, thonë se gjithçka po ndodhë për shkak të kërkesave të ministrit që të ketë në kontroll më shumë tenderët.

Kjo ministri këtë vit ka në dispozicion 279 milionë euro, të ndara nga buxheti i shtetit për projektet e planifikuara infrastrukturore në Kosovë.

“Të gjithë dëshirojnë ti kenë në dorë këto para”, ka thënë për Gazetën Fjala një zyrtarë i MI-së.

Ndërkaq, nën dyshimin për kurdisje tenderësh, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion ka nisur hetimet ndaj Drejtorit të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Besim Tahiri dhe Betim Reçica zyrtar në këtë ministri.

Hetimet kanë nisur pas një shkrimi të publikuar në Gazetën Fjala, ku është publikuar edhe një video incizim në të cilën dyshohet se Reçica dhe Tahiri merren vesh për tenderë të caktuar.

Gazeta Fjala posedon edhe dokumentin për nisjen e hetimeve në të cilin thuhet se “hetimet po zhvillohen nën dyshimin e arsyeshëm për mundësinë e kryerjes së veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar të sanksionuar sipas nenit 422 të KPK-së”.

Gazeta Fjala javë më parë pati raportuar se në Ministrinë e Infrastrukturës, që drejtohet nga Lutfi Zharku i LDK’së dyshohet se janë duke u kurdisur tenderët dhe se po shpërblehen kompanitë në bazë të preferencave të individëve të caktuar./Gazeta Fjala