LSDM: Gruevski, do të ikësh në emër të Maqedonisë stabile!

Lëvizja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), ka vlerësuar se “vizita dinjitoze” e liderit të tyre, Zoran Zaev të hënën në Kumanovë, e ka çmendur kryeministrin Nikolla Gruevski.

Lajme

12/05/2015 16:14

LSDM thotë se Gruevski nuk ka “guxim dhe as fytyrë” që të paraqitet para kumanovarëve.

“Përderisa Gruevski duhet patjetër të fshihet nga qytetarët, sepse nuk ka sqarime për politikat e tij diletante dhe të papjekura, kryetari Zaev qëndroi në mesin e qytetarëve të tij duke u shprehur ngushëllime, mbështetje, informacione për të cilën këta njerëz kanë të drejtë. Qytetarët e Kumanovës e njohën sinqeritetin dhe përgjegjësinë e liderit të LSDM-së prandaj me një energji të tillë dhe falënderim reagojnë në vizitën e tij të djeshme. Qytetarët pikërisht  Gruevskin, Mijallkovin dhe Jankullovskën i shohin fajtorë për atë që ndodhi në Kumanovë. Populisti egoist Gruevski i cili nuk ka guxim madje as në fytyrë, që të paraqitet para kumanovarëve, sipas reagimeve të megafonëve të tij mediatik Sitel dhe Kurir, nuk mund të qetësohet me respektin e treguar ndaj liderit të LSDM-së”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.

Partia e Zaevit kërkon që Gruevski të ikë në emër të Maqedonisë stabile.

“Duhet patjetër të ikësh Gruevski! Do të ikësh në emër të Maqedonisë stabile dhe të sigurt!”, thuhet mes tjerash në njoftimin e LSDM-së.