Lista me emrat e deputetëve të rinj, shtohen pakënaqësitë brenda LDK-së

Derisa pritet certifikimi i zgjedhjeve nga Komisioni Qendror Zgjedhor, lajmi.net ka siguruar nga  Lidhja Demokratike e Kosovës listën me emrat e 30 deputetëve të kësaj partie, që do të përbëjnë grupin e dytë parlamentar në vend, pas atij të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila doli fituese e zgjedhjeve parlamentare, me 37 deputetë.

Lajme

25/06/2014 16:24

Sipas burimeve të lajmi.net, ardhja e rezultateve përfundimtare, por ende të pacertifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shkaktuar indinjatë tek një pjesë e kandidatëve që nuk kanë arritur të fitojnë vota të mjaftueshme për t’u bërë deputetë, ashtu sikurse ka gëzuar pa masë një pjesë të kandidateve, të cilat falë kuotës do të jenë anëtare të parlamentit të ri.

“Lista e fundit me emrat e kandidatëve të partisë që kanë fituar vota të mjaftueshme për të qenë deputetë të Kuvendit të Kosovës, natyrisht që ka shkaktuar pakënaqësi brenda partisë, e para për rezultatin e arritur si subjekt politik, por edhe me përzgjedhjen e disa kandidatëve dhe mbetjen jashtë të disa të tjerëve, që ishin më të përkëdhelur nga lidershipi i partisë”, ka thënë për lajmi.net një zyrtarë i lartë i LDK-së.

Sipas këtij burimi brenda LDK-së, lista në fjalë i ka gëzua pa masë një pjesë të kandidateve femra, të cilat, sipas tij, as ëndërr nuk do ta kishin parë parlamentin sikur të mos i gëzonin privilegjet e kuotës prej 30 përqind.       

Megjithëkëtë, LDK, e cila do të ketë 30 deputetë në Kuvendin e Kosovës, 21 deputetë të gjinisë mashkullore dhe nëntë të gjinisë femërore (sipas kuotës), pret nga KQZ certifikimin e këtyre kandidatëve:

Deputetët:

1. Isa Mustafa
2. Anton Quni
3. Ismet Beqiri
4. Nuredin Ibishi
5. Arben Gashi
6. Haki Demolli
7. Kujtim Shala
8. Sabri Hamiti
9. Armend Zemaj
10. Avdullah Hoti
11. Naser Osmani
12. Hatim Baxhaku
13. shpejtim Bulliqi
14. Muhamet Mustafa
15. Fatmir Rexhepi
16. Sadri Ferati
17. Ali Sadriu
18. Agim Ademaj
19. Murat Hoxha
20. Agim Kikaj
21. Adem Salihaj

Deputetet:

1. Vjosa Osmani
2. Teuta Rugova
3. Hykmete Bajrami
4. Njomza Emini
5. Lirije Kajtazi
6. Alma Lama
7. Besa Gaxherri
8. Doruntinë Maloku
9. Teuta Sahatqija  

Nëse eventualisht do të ketë ndryshime, që sipas burimit të lajmi.net, nuk pritet të ketë, ato mund të ndryshojnë listën e kandidatëve të gjinisë mashkullore, por jo edhe të asaj femërore.

Në pritje të ndryshimeve të mundshme janë Bardhyl Meta me shtatë mijë e 479 vota dhe Blerim Grainca me shtatë mijë e 401 vota të fituara, të cilët shpresojnë se kanë fituar vota të mjaftueshme t’ia zënë vendin Adem Salihajt, i cili ka arritur t’i sigurojë shtatë mijë e 589 vota.