Limaj: Ka gabuar kushdo që e ka menduar dorëzimin tim

(I plotësuar) - Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se nuk mund të gjendet në Kosovë dhe as rajon sikur rasti i tij kur për vite është skanuar nga drejtësia kosovare dhe ndërkombëtarë. Krejt kjo ndodhë, sipas tij, kur ndiqen emrat e jo faktet dhe provat.

Lajme

12/03/2018 20:32

“Janë mbi 30 gjyqtarë të cilët e kanë shikuar jetën time të luftës dhe të pasluftës. Nuk ka pas asnjë provë, më kanë linçuar dhe tetë vjet persekutim, rrënim, sulm ndaj personalitetit tim dhe në fund pas tetë vite asnjë gjë nuk vërtetohet. Le të shërbejnë këto raste që të piqet drejtësia në Kosovë. Le të ndiqen provat dhe faktet. Të hulumtohen mirë dyshimet dhe mos të përndiqen njerëzit”, ka thënë Limaj për RTK.

Më tutje, ai ka thënë se nuk e ka menduar asnjëherë largimin nga politika pavarësisht përndjekjes që i është bërë.

Ai ka shtuar se nga politika largohet vetëm atëherë kur qytetarët nuk e mbështesin me votë.

“Jam kanë i bindur në çdo hap dhe krenar më gjithë kaluarën time të pasluftës. I kam shërbyer vendit sa kam ditë e sa kam mundur në çdo rrethanë. Ka gabuar kushdo që e ka menduar dorëzimin tim. Për të drejtën time unë luftoj dhe angazhohem. Le të shërbeje rasti im të mos dëmtohen njerëzit. Jeta ime ka qenë një jetë brenda ligjit dhe në shërbim të vendit”, ka shtuar Limaj.

Limaj tregon kujt i takojnë meritat për demarkacionin, përmend edhe LDK-në

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se Lista Serbe nuk ka votuar asgjë në këmbim për ta votuar marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi. Numri dy i Qeverisë Haradinaj ka thënë se deputetët kanë pasur dilema dhe po punojnë që t’i heqin këto dilema.

Ka thënë se nuk janë ndalë për asnjë moment dhe janë duke punuar me të gjitha Grupet Parlamentare për të arritur shumicën e nevojshme të votave.

“Njerëzit kanë nevoje t’i hiqen dilemat dhe pres që shumica e Kuvendit të pajtohen dhe ta mbyllin këtë temë.

“Marrëveshja me Malin e Zi u ka dhënë mundësinë deputetëve të mos votojnë me hezitime por t’i ipet mundësi korrigjimit të nevojshëm aty ku ka pasur gabime ose lëshime. Unë pres që të gjithë deputetët ta votojnë. Unë pres që këtë javë të mbyllet çështja e demarkacionit dhe kjo javë është shumë e rëndësishme ta mbyllim këtë temë”, ka thënë Limaj në një intervistë për televizionin publik.

Më tutje, Limaj ka thënë se pas ratifikimit të demarkacionit, do të formohen grupet punuese të dy shteteve të cilat do të dalin në teren dhe do t’i ballafaqojnë faktet./Lajmi.net/