Limaj i ashpër me Erdoganin: Asnjë lider s’mundet të na tregojë se kush qeverisë me Kosovën
Zv/kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka pasur një përgjigje të ashpër ndaj presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan i cili akuzoi Haradinajn se i ka përkrahur “terroristët”, pasi shkarkoi ministrin e Brendshëm dhe shefin e AKI-së.
Lajme
Limaj me rastin e 4 vjetorit të themelimit të Nismës në Prizren, është shprehur i prerë: “Askush dhe asgjë nuk e kërcënon popullin e Kosovës. Populli ia ka dhënë mandatin kryeministrit, dhe vetëm ai mund ta largojë”.
Tutje Limaj gjithashtu theksoi se Kosova dëshiron raporte të mira me të gjitha shtetet, por “vazalë” siç tha ai, nuk do t’i bëhemi askujt.
“Duam miqësi me çdo vend, respektojmë vendet mike të Kosovës, ne jemi të përkushtuar ta ruajmë miqësinë me këto vende, por kjo nuk nënkupton që ne jemi vazalë të asnjë shteti. Porosia e ime për kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës është se ne jemi sovran. Askush dhe asgjë nuk e kërcënon veç popullit të Kosovës. Ai ia ka dhënë mandatin kryeministrit, ai e largon, asnjë shtet asnjë vend, asnjë lider nuk mundet me na tregu kush duhet ta everisë Republikën e Kosovës”, tha Limaj në Prizren, raporton lajmi.net
“Duhet ta ketë të qartë edhe Erdogani, me miqësinë që e ka tregu Kosova. Miqësinë nuk e shkëmben Kosova me vazalitet. Kryeministri e ka zbatu Kushtetutën e Kosovës. Qeveria e Kosovës do ta mbrojë intersin e vendit. Kushdo që tenton ta prek Kosovën do të merr përgjigje të njejtë”, tha tutje lideri i Nismës për Kosovës.
Sipas Limajt, Kosova është vend perëndimor.
Ai tha se Kosova asnjëherë nuk e ka prerë në besë dikënd, ashtu siç ndodhi para dy ditësh.
“Kosova është vend demokratik. Kombi ynë është me përcaktim perëndimor, vizioni ynë është Evoropa. Asnjëherë Kosova nuk ka pre në besë, dhe nuk ka dorëzuar njerëz siç ka ndodhur herën e kaluar”, tha Limaj.
Sipas tij deportimi i gjashtë shtetasve turq ka qenë vepër e agjendave të dyshimta.
“Do të kërkojmë deri në fund përgjegjësi, pse ka ndodhur, dhe asnjëherë në vendin tonë nuk guxojnë të ndodhin për agjenda të tilla indidviduale dhe që nuk përfaqësojnë interesin e Kosovës”, tha Fatmir Limaj.
Ndryshe, ky është reagimi i parë zyrtar nga Qeveria e Kosovës për kërcënimet e Erdoganit ndaj Haradinajt. /Lajmi.net/