“Let’s Do It Kosova” me trajnim për mësimdhënësit, synojnë edukimin mjedisor

Në kuadër të fushatës "Ta Pastrojmë Kosovën", sot në komunën e Istogut, është mbajtur trajnimi "Ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve në fushën e mjedisit jetësor", organizuar nga "Let's Do It Kosova".

Lajme

03/11/2018 16:13

Trajnimi i sotëm, i organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë synon rritjen e fokusit të mësimdhënësve në temat që lidhen me edukimin mjedisor si dhe zhvillimin e aktiviteteve konkrete që promovojnë rëndësinë e ruajtjes së mjedisit jetësor, thuhet në njoftim, përcjell lajmi.net.

Në trajnimin e sotëm që u mbajt në shkollën “Bajram Curri”, pjesëmarrës ishin 33 mësimdhënës të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta të Komunës së Istogut.

Ligjërues në trajnim ishin ekspertë nga “Let’s Do It Kosova” dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Siç thuhet në njoftim, këto trajnime që nisën në Istog do të jenë dyditore dhe si pilot projekt do të zhvillohen në katër komunat: Istog, Klinë, Skenderaj dhe Podujevë, për të vazhduar pastaj edhe në komuna tjera.

Në fokus të këtyre trajnimeve janë mësimdhënësit e nivelit fillor, si dhe mësimdhënësit e shkencave të natyrës, konkretisht Biologjisë dhe Kimisë në shkollat e mesme të ulëta.

“Let’s Do It Kosova” ju njofton se çdo ditë po vazhdojnë aktivitetet për pastrimin e deponive ilegale të mbeturinave si dhe vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.

Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” ka filluar më 15 shtator, ndërsa do të vazhdojë deri më 15 dhjetor. /Lajmi.net/