Ky shtet ka legalizuar marijuanën

Parlamenti australian miratoi të mërkurën projektligjin për legalizimin e marijuanës mjekësore. Ndryshimet në Aktin e Drogave Narkotike do të lejojnë rritjen e kanabisit në mënyrë të ligjshme për qëllime mjekësore dhe shkencore, për herë të parë në Australi.

Lajme

25/02/2016 02:10

“Kjo është një ditë historike për Australinë dhe për shumë avokatë të cilët kanë luftuar gjatë për të sfiduar opinionin e keq rreth produkteve medicinale të kanabisit, në mënyrë që pacientët të mos të trajtohen si kriminelë”, tha ministria e Shëndetësisë në një deklaratë.

“Kjo është një pjesë që mungonte në rrugëtimin e gjatë të trajtimit të pacientit dhe tani do të shihni prodhimin dhe kalimin e produkteve medicinale të kanabisit, nga ferma në farmaci”, shtoi ajo.

Vendimi erdhi pikërisht një vit pasi 25-vjeçari Daniel Haslam humbi jetën nga kanceri në zorrën e trashë. Haslam përdori marijuanë mjekësore për të lehtësuar dhimbjet e tij dhe të përzierat, para se të vdiste në shkurtin e kaluar.

Nëna e tij, Lucy, inicioi krijimin e një grupi advokimi për kanabisin mjekësor të quajtur, “Të bashkuar në mëshirë”, dhe nisi një peticion për ta bërë kanabisin mjekësor të ligjshëm.

Senatori australian, Richard Di Natale, risolli historinë e Haslam-it para Parlamentit të mërkurën.

“Është tepër me vend që sot ne jemi duke kaluar këtë projektligj, i cili është një hap para, drejt marrjes së kanabisit mjekësor për njerëzit si Dan”, tha Di Natale.

“Ju falënderoj Lucy për çdo gjë që keni bërë. Ju lutem, e di se dhimbja e familjes suaj dhe vuajtjet nuk ka qenë të kota dhe kjo është një trashëgimi që Dan do të lërë këtu në Parlament”.

Pacientët e tjerë në Australi e përgëzuan qeverinë për arritjen e së mërkurës. Një banore australiane, Narelle Reimers tha se, do të dëshironte ta kishte përdorur marijuanën mjekësore kur ishte duke luftuar me kancerin.

“Si një e mbijetuar nga kanceri unë mund ta kisha përdorur marijuanën mjekësore në kohë, për të lehtësuar dhimbjen, ankthin, ndjenjën e dëshpërimit, trishtimin, merakun, pagjumësinë etj”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Doktori Sanjay Gupta tha se, është koha për një revolucion të marijuanës mjekësore. Por, ndërsa bima e kanabisit tani mund të rritet në mënyrë të ligjshme në Australi, ende nuk është e qartë se kur kjo bimë do të jetë gati për përdorim nga pacientët që kanë rekomandim dhe recetë nga mjeku. Licencat e prodhimit dhe rregullat për shitjen e saj do të duhet të aplikohen përpara se prodhimi i saj të fillojnë.

Ministri i Shëndetësisë u kujtoi njerëzve se ndryshimet në ligj, nuk do të prekin marijuanën që përdoret për qëllime rekreative, e cila mbetet ende e paligjshme./lajmi.net