Kush janë personat që po valëvisin flamurin kundër xhihadistëve?

Përderisa Këshilli i Sigurimit i OKB-së po bën matjet e tij se sa persona janë pjesëtarë të "Shtetit Islamik" dhe, në anën tjetër, presidenti amerikan Barack Obama bën thirrje për përgjegjësi globale, shumë njerëz pyesin se nëse vet myslimanët duhet të bëjnë mjaftueshëm që të luftojnë terrorizmin.

Bota

02/10/2014 01:04

Në fakt, larg vëmendjes së mediave, mijëra njerëz janë duke zhvilluar beteja për ditë në vendet e tyre kundër asaj që residenti Obama e quajti “rrjeti i vdekjes”.

Për fat të keq, xhihadistët zënë pjesën kryesore në ballinat e mediave, e ata që valëvisin flamujt kundër xhihadit dhe kundërshtojnë luftën e xhihadistëve nuk marrin hapësirën e duhur në media. Në fund të fundit, të gjithë kanë dëgjuar dhe kanë lexuar për Osama bin Laden, por shumë pak dihet për ata persona në mbarë botën që kanë ngritur zërin kundër tij, shkruan Reuters.

Kjo është një histori e gjatë, e pa treguar, e myslimanëve të guximshëm që kanë ngritur zërin për të sfiduar ekstremistët.

Në vitet e 90-ta, grupi i njohur i grave algjeriane, i njohur me emrin Grupi i Grave Demokratike (RAFD), ka guxuar që të ngre zërin në një dekadë të “errët”, kur mizoritë e kryera nga xhihadistët e Grupit të Armatosur Islamik i bënë në shtetin algjerian. Ajo dhunë e shkaktuar mori jetën e 200 mijë njerëzve.

Demonstratat e organizuara nga ky grup i grave, bëri që mijëra protestues tu bashkoheshin atyre, pavarësisht të gjitha rreziqeve. Në tetor të vitit 1993, kur dhuna filloj të përshkallëzohej, protestueset dolën para zyrës së Presidentit dhe ngritën zërin për kërcënimet ndaj grave dhe personave që ishin deklaruar si sekularist, transmeton lajmi.net. Të gjitha organizatoret kryesore të RAFD përfunduan në një listë të gjatë të kërcënimeve me vdekje nga fundamentalistët, por kjo gjë nuk i bëri ato që të ndalen për të ngritur zërin për atë që besonin.

Një ditë pas një bombe vdekjeprurëse në vitin 1995, e cila la shumë të vdekur, shumë njerëz iu bashkuan protestave të organizuara nga RAFD, të cilët qëndruan pikërisht tek krateri që kishte shkaktuar bomba. Policia u tha protestuesve se ky veprim ishte shumë i rrezikshëm, por protestuesit qëndruan aty dhe e mbushën të gjithë kraterin me lule.

Pastaj, po në vitin 1995, kjo organizatë e grave kishte mbajtur një gjykim tallës për liderët algjerian të Frontit të Shpëtimit kundër terroristëve. Mbi 900 pjesëmarrëse në këtë gjykim morën kërcënime për jetë, për shkak të veprimit të tyre.

Përmes akteve të tilla, aktivistEt ndihmuan që të shfaqej pakënaqësia e popullsisë për një projekt të një shteti islamik në Algjeri. Megjithatë, e tërë puna e organizatës RAFD mori pak vëmendje ndërkombëtare.

Për më tepër, fatkeqësisht, ky grup i grave mori edhe kritika nga inteligjenca perëndimore dhe nga mediat ndërkombëtare duke sugjeruar se anëtaret e kësaj organizate nuk ishin origjinale por po mundoheshin që të bëheshin shumë perëndimore.

Por, pse u etiketuan ato në këtë mënyrë? Një arsye është se media perëndimore shpesh i paraqet konfliktet sikurse janë vetëm në mes të myslimanëve ekstremistë dhe Perëndimit, e jo si një luftë për të drejtat e njeriut në shoqëri me shumicë myslimane. Në këtë tregim, kundërshtimi kundër ekstremizmit konsiderohet të vjen vetëm nga Perëndimi. E kjo është plotësisht një pretendim i gabuar.

Kur Perëndimi e sheh konfliktin në këtë mënyrë, i gjithë konflikti mund të vijë deri në atë pikë sa të pasqyrohet si “përplasje mes qytetërimeve”. Por kjo nuk është kështu. Ka një përplasje në mes ideologjive dhe jo në mes qytetërimeve dhe kjo është duke u zhvilluar në çdo vend i cili është i prekur nga ekstremizmi.

Beteja në publik me “anti-xhihadistët” është një pjesë e rëndësishme në luftën kundër grupeve si IS, po aq sa është e rëndësishme edhe fushata ushtarake që po zhvillohet kundër tyre. Kjo është arsyeja se pse komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë punë më të mirë në mbështetjen e atyre personave të cilët kanë ideale të ngjashme me ato të organizatës RAFD, dhe të pranojnë se ata përfaqësojnë një zë legjitim brenda shoqërive të tyre.

Dhe ka shumë të tillë.

Brenda zonës së rrezikut, Organizata për Lirinë e Gruas Irakiane (OLGI), publikisht ka denoncuar fushatën e tyre mbi  gjenocidin që IS po e kryen kundrejt pakicave, për përdhunimin e grave, për imponimin e kodeve të rrepta të veshjes për femra dhe për skllavet seksuale për luftëtarët e IS-it. OLGI ka një linjë telefonike ku gratë mund të raportojnë nëse ato janë duke u keqtrajtuar dhe më pas organizata ofron shtëpi të sigurta për ato gra, në mënyrë që t’i shpëtojë ato nga duart e luftëtarëve të IS-it.

Arkitektja  irakiane, Yanar Mohammed, një kundërshtare e pushtimit të Irakut nga Amerika, në vitin 2003 ka themeluar këtë grup, pikërisht pas rënies së Sadam Huseinit. Qëllimi i saj ishte për të promovuar të drejtat e grave dhe gjithashtu për të avokuar për një Irak jo sektar dhe sekular. Ashtu si gratë e RAFD, pjesëtaret e organizatës OLGI kanë marrë kërcënime me jetë, si nga myslimanët sunitë dhe po ashtu nga ekstremistët shiitë. Yanar gjithashtu kishte marrë një email me titull “Vrasja e Yanarit”.

Pavarësisht trimërisë së saj, Yanar ka treguar se ajo ishte paraqitur shumë pak në mediat botërore. Edhe zëdhënësja e RAFD, Zaxi Sadou kohët e fundit, duke reaguar mbi planin ndërkombëtar dhe veprimet për të luftuar ekstremizmin, ka thënë me dëshpërim “Askush nuk dëshiron që të na dëgjojë”. Edhe sot Perëndimi ende nuk i ka dëgjuar zërat e irakianëve, të cilët janë ngritur kundër ekstremistëve. E kjo gjë duhet të ndryshojë.

Nëse komuniteti ndërkombëtar dëshiron të ketë prapa vetës më shumë njerëz që janë kundër ekstremistëve, ata duhet t’i mbështesin këta njerëz. Përderisa xhihadistët janë duke u financuar mirë, grupet laike që po ngritin zërin kundër tyre janë duke luftuar për fonde, të cilat do t’i ndihmonin që ta çonin përpara kauzën e tyre.

Nëse kjo gjë nuk adresohet, atëherë ka një rrezik real që fundamentalistët myslimanë, të cilët janë të armatosur dhe kanë para, të fitojnë edhe betejën e propagandës por dhe betejat ushtarake, shkruan Reuters, transmeton Lajmi.net.