Kush është i dyshuari për vrasjen e tetë personave në Nju Jork?

Sayfullo Saipov nga Uzbekistani, është autori i dyshuar i sulmit me kamion në Nju Jork, ku humbën jetën tetë persona dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur.

Bota

01/11/2017 15:26

 

Saipov i lindur në shkurt 1988, besohet se ka jetuar në Ohajo, Florida dhe Nju Xhersi, që nga marrja e kartonit të gjelbër që i mundësoi atij të jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mirrakhmat Muminov aktivist fetar nga Uzbekistani që punon në SHBA, ka thënë për BBC-në se emigranti i dyshuar, është i martuar dhe ka tre fëmijë. Sipas tij, ai u bë person agresiv dhe u radikalizua përmes internetit pasi kishte shkuar në SHBA në vitin 2010.

“Ai nuk ishte i arsimuar mirë dhe nuk kishte dijeni për Kuranin përpara se të arrinte në SHBA, mirëpo ai kishte rënë në depresion pasi që nuk mund të gjente punë si shofer taksie,” ka thënë Muminov.

Ai po ashtu ka thënë se janë rreth 70,000 njerëz me origjinë nga Uzbekistani që kanë ardhur të jetojnë në SHBA, kryesisht në qytetin e Nju Jorkut, por edhe në Florida, në Orlando, në Çikago dhe në Ohajo.

Sipas mediave në SHBA, Sayfullo Saipov u ka mbijetuar plagëve të marra nga plumbat, dhe tani hetuesit do ta kenë mundësinë të zbulojnë motivin e këtij sulmi.