Kusari-Lila: Kokëfortësia i bën fajtorë të dy palët

Kryetarja e Gjakovës dhe nënkryetare e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se të gjithë janë fajtorë për ngërçin e krijuar.

Lajme

22/10/2014 00:56

Kusari Lila ka thënë në emisionin Top Show se Kosova është në një situatë shumë të vështirë.

“Vendi po humb shumë, uroj të mos vijë dita dikush të bëjë sakrificë jashtë sistemit. Ngërçi politik po i kushton Kosovës shumë, jo vetëm në kuadër të projekteve ekonomike. Mos të harrojmë elementin e bashkëpunimin ndërkombëtar. Çka tregon kjo për krerët politikë kosovarë”, ka thënë ajo.

“Besoj se të gjithë e kanë përgjegjësinë. Kokëfortësia ka lindë me një proces që ka lindur me një koalicion të çuditshëm, që iu bashkua edhe Vetëvendosje. Nuk po e shohin që po e bëjnë një njeri më të rëndësishëm, duke bërë kaq shumë kundër tij”, është shprehur Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se meqenëse të gjithë kanë një kokëfortësi, si PDK-ja ashtu edhe Blloku, të gjithë bëhen fajtorë për situatën e krijuar.

“Ekziston një kokëfortësi e subjekteve tjera që nuk duan të bashkëpunojnë me PDK-në dhe, në anën tjetër PDK-ja që nuk e lëshon qeverinë, të gjitha palët e kanë fajin. Të gjithë që janë pjesë e këtij procesi janë fajtorë”, ka thënë ajo.