Kusari-Lila ia bën SHAH Qeverisë, ia jep edhe dy ditë kohë për veprim

Në ngjarjen më të madhe sportive në Kosovën e pasluftës e cila po mbahet në Gjakovë, Kampionatin Evropian Individual të Shahut, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila thotë se ende as edhe NJË zyrtar i lartë i shtetit nuk ishte prezent, raporton lajmi.net

Lajme

20/05/2016 22:27

Ajo bënë të ditur se në hapjen zyrtare të këtij kampionati, Qeveria e Kosovës ishte e përfaqësuar me Drejtorin e Departamentit të Sportit, ndërsa, sipas saj asnjë nga Ministrat apo dhjetëra zv/Ministra nuk e panë të vlefshme ta vizitojnë Gjakovën me 11 Maj, 2016.

“Sot, në ditën e 9-të të aktivitetit as edhe një zyrtar ende nuk e gjeti rrugën për të bërë një më të voglin potez në Gjakovë. Sot unë bëra potezin e parë në raundin e tetë të lojërave të këtij kampionati Evropian, potezi i radhës është i zyrtarëve të shtetit të Kosovës. I kanë edhe dy ditë për ndonjë lëvizje në Gjakovën e kuqe, mos e bëfshin për Gjakovën këtë vizitë, ta bëjnë për Kosovën. Më shumë se Gjakova është e tërë Kosova që po vlerësohet me këtë kampionat”, ka shkruar ajo, raporton lajmi.net

Ndryshe, qindra persona janë akomoduar që 10 ditë në Gjakovë, mesin e tyre ka edhe shumë rus.

Emra të njohur të mjeshtërve të këtij sporti po vazhdojnë garën, ku edhe mund t’i shikoni drejtpërdrejt nga kompjuteri, raporton lajmi.net

Federata kosovare e shahut kohë më parë ka bërë të ditur se fituesi kryesor do të fitoj 20 mijë euro.

“Janë rreth 300 pjesëmarrës, nga rreth 40 shtete të ndryshme të botës, ka edhe nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë kryetari i Federatës, Nysret Avdiu./ Lajmi.net