Kurtit iu vazhdua arresti shtëpiak pasi rrezikon t’i përsëris veprimet (Dokument)

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka marrë vendim që t’i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak kundër të akuzuarit Albin Kurti, deri më datë 12 shkurt 2016, thuhet në aktvendimin e lëshuar nga kjo Gjykatë, të siguruar nga KosovaPress.

Lajme

28/12/2015 17:28

Në aktvendimin e lëshuar për Kurtin, nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtar Beqir Kalludra, thuhet se pasi ka shqyrtuar shkresat e lëndës dhe arsyet e vazhdimit të masës së arrestit shtëpiak, ka konstatuar se ndaj të njëjtit duhet të vazhdohet masa e arrestit shtëpiak, ngase akoma nuk kanë pushuar shkaqet ligjore për të cilat edhe I është caktuar kjo masë.

Dyshimet bazohen në faktet se i akuzuari, Albin Kurti duke filluar nga data 08.10.2015 e deri më datën 17.11.2015, në sallën e Kuvendit të Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës, duke penguar punën e kryetarit dhe deputetëve të Kuvendit.

Në aktvendimin e siguruar nga KosovaPress thuhet se “kryetari i trupit gjykues, po ashtu vlerëson se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se nëse i akuzuari gjendet në mbrojtje në liri, mund të iki apo fshihet, me qëllim të shmangies nga prania e të njëjtit në fazën e shqyrtimit gjyqësor? ?, kjo për faktin se i akuzuari asnjëherë nuk iu ka përgjigjur ftesave të organeve shtetërore”.

Më tej vendimi arsyetohet me përsëritjen e mundshme të këtyre veprimeve nga ana e të akuzuarit, çka edhe është shkak për vazhdim të këtij arresti shtëpiak. KosovaPress ka siguruar aktvendimin dhe atë jua sjell të publikuar më poshtë.