Kufijtë në Evropë nuk mund të rishënohen me forcë

Zëvendës/presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar se është e papranueshme për vendet që të përpiqen t’i rishënojnë kufijtë me forcë në Evropë.

Bota

21/11/2014 16:23

Në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur në Kiev me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, Biden ka thënë se  nëse Rusia do t’i plotësoj përkushtimet, që i ka marrë në Minsk për përfundimin e krizës në Ukrainë dhe do ta respektoj integritetin territorial të Ukrainës, atëherë  Perëndimi mund të fillojë diskutimin racional për sanksione.

“Por deri më tani kemi parë paturpësi nga ana e Moskës,  mosrespektim të marrëveshjes së armëpushimit të arritur në Minsk më 5 shtator. Bëjeni atë për të cilën jeni pajtuar ta bëni, zoti Putin”, tha Biden duke i dërguar mesazhin presidentit rus, Vladimir Putin nga Kievi.

Rusia akuzohet nga Shtetet e Bashkuara, bashkimi Evropian dhe NATO për nxitjen, armatosjen dhe dërgimin e trupave rezervë në lidje të Ukraninës, ku separatistët pro-rusë po luftojnë me forcat qeveritare ukrainase, përkundër marrëveshjes për armëpushim.

Biden ka thënë se Amerika nuk e njeh dhe nuk do ta njohë okupimin rus të Krimesë dhe as përpjekjen për aneksim të dy rajoneve të tjera ukrainase,  Donetsk dhe Luhansk,  dhe se do të jenë në anën e Ukrainës për aq kohë sa këtë e dëshiron Kievi zyrtar.