Ku janë edhe 1700 persona të zhdukur?

Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve, e gjen Kosovën me 1700 persona, fati i të cilëve ende nuk dihet. 

Lajme

30/08/2014 09:46

Edhe 15 vjet pas luftës, Kosovës i mungojnë edhe 1700 persona, të cilët evidentohen si të zhdukur gjatë luftës së fundit. Trupat e tyre ende nuk janë gjetur dhe familjaret vazhdojnë t’i kërkojnë ata. Me gjithë ankthin në të cilin kanë jetuar tërë këto vite, ata vazhdojnë t’i kërkojnë, duke shpresuar që të paktën eshtrat e tyre të kthehen në vendlindje dhe të dihet varri i tyre, pranë të cilëve mund të vendosin lule, apo të qajnë atëherë kur u mungojnë.

Familjarët të cilët tërë këto vite kanë përjetuar tmerrin, duke i kërkuar më të dashurit e tyre gjallë apo të vdekur, thonë se edhe kthimi i eshtrave të tyre në Kosovë, është një lehtësim për ta, pasi që ua din të paktën varrin. Megjithëse, familjarë nga të gjitha anët e Kosovës, vazhdojnë t’i presin eshtrat e më të dashurve të tyre, të cilët u vranë në luftën e fundit nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, Drenica ishte ajo të cilës së fundit nga Serbia iu kthyen eshtrat e 16 qytetarëve të vrarë, për fatin e të cilëve tash e 15 vite nuk kishin ditur asgjë.

Familja Morina nga Çikatova e vjetër e Drenasit, të cilës ditë më parë iu kthyen në Kosovë, eshtrat e tetë familjarëve të tyre, thonë se kjo sadopak ua ka lehtësuar dhimbjen që ata kanë pasur me vite, pasi që asgjë nuk kanë ditur për fatin familjarëve të tyre.

Ramiz Morina, i cili si ushtar i UÇK-së, kishte varrosur me duart e tij të 19 trupat e personave të vrarë, të cilët më pas janë zhvarrosur dhe janë zhdukur që nga 1999-ta, kujton tmerrin e përjetuar.

Fetah Morina, të cilit këto ditë i janë kthyer eshtrat e babait të vrarë dhe familjarë të tjerë, thotë për KosovaPress se ata janë njoftuar edhe për gjetjen e 5 trupave të tjerë, përveç atyre 8 sa janë sjellë ditë më parë. Ndërsa, për t’i varrosur thotë se po presin kthimin në Kosovë edhe të 6 trupave të tjerë, të cilët ende mungojnë.

Ndërsa, thonë se janë zhgënjyer nga institucionet e vendit, të cilët sipas tyre s’kanë bërë pothuajse asgjë për ndriçimin e fatit të pagjeturve.

E për zhgënjimin e familjarëve të personave të zhdukur, sa i përket punës së institucioneve të vendit, flet dhe Haki Kasumi, koordinatori i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjeve të të Zhdukurve të Kosovës, i cili thotë për KosovaPress se tek familjarët, ekziston bindja se është bërë fare pak dhe se do të mund të bëhej shumë më shumë në mënyrë që të mbyllej kjo faqe e përgjakur e historisë sonë të afërt.

Kurse, në rrethojat e Kuvendit të Kosovës, ende qëndrojnë fotografitë e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Megjithëse, është premtuar se aty do të ndërtohej një lapidar, një gjë e tillë nuk është bërë ende. E Kasumi në lidhje me këtë thotë se e tërë kjo është një injorim nga ana e institucioneve që po vazhdon të iu bëhet familjarëve të personave të pagjetur.

Ndërsa, Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur, thotë se duhet të bëhet trysni në palën serbe, pasi që me gjetjet e fundit në Rudnicë, dëshmohet se ende ka varreza masive ilegale në Serbi dhe se institucionet serbe, kanë njohuri për vend ndodhjen e tyre.

Dita Ndërkombëtare e personave të zhdukur, do të shënohet më 30 Gusht në Drenas. E vendimi për shënimin e kësaj dite atje, është marrë pasi që nga ky rajon janë gjetjet mortore të fundit në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës. Në shenjë respekti të atyre familjeve dhe ndaj flijimeve që ishin të shumta në Drenicë, kësaj radhe kjo ditë do të shënohet në Drenas. (Kosova Press)