Kthema edhe 1 cent, mos më vidh!

Me moskthimin e një centi, bizneset në Kosovë vjedhin me miliona euro.

Lajme

07/05/2015 10:45

Iniciativa “Kthema 1 Cent” përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj dukurisë ilegale, ku konsumatori kosovar përballet çdo ditë me biznese të cilat gjatë pagesës nuk ia kthejnë kusurin prej 1-4 centësh.

Sipas kësaj iniciative ky mos kthim i kusurit  i shkakton dëme konsumatorit duke nxjerr shuma të majme të parave në bilancin e tyre nga ndalja e këtyre centëve.

“Nëse bëjmë një kalkulim të thjeshtë del se nëse një supermarket arrin të shesë 10.000 produkte brenda ditës me një çmim prej 99 centësh, si rezultat i moskthimit të 1 centi në fund të ditës ai biznes del me një akumulim të hollash me shumë prej 100€, e nëse e njëjta gjë vazhdon të ndodhë gjatë një viti, atëherë, përfituesi ilegalisht arrin të mbledhë në këtë mënyrë 36.500€ nga mos kthimi i vetëm 1 centi”.

“Këtu ishte fjala vetëm për një qendër tregtare, mirëpo dihet se në Kosovë ka një numër shumë të madh të bizneseve të tilla dhe kjo na nxjerr direkt në një përfundim që çdo vit nga xhepi i qytetarëve më të varfër në Evropë, dalin miliona euro”, thuhet në një komunikatë të kësaj iniciative.

Ata thonë se ndalja e të hollave në këtë mënyrë është prezente me vite të tëra dhe se asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë veprim konkret nga institucionet përgjegjëse për ndaljen e kësaj dukurie.

Kjo iniciativë thekson se ndalja e të hollave në këtë formë është vjedhje, ndërkaq vjedhja është vepër që përbën një shkelje ligjore dhe duhet te ndiqet penalisht. Prandaj ne si iniciativë i bëjmë thirrje organeve të Republikës së Kosovës që të fillojnë sa më shpejtë me veprime konkrete në ndaljen e këtij krimi ekonomik dhe të ndërmarrin hapa konkretë në sigurimin e mbrojtjes së konsumatorit kosovar nga dëmtimi i mëtejshëm.

“Rreth gjendjes së krijuar ne i bëjmë thirrje organeve përgjegjëse për veprime konkrete duke filluar edhe me dënime dhe ndjekje penale për bizneset të cilat e ndalin paranë e qytetarit në këtë mënyrë dhe njëkohësisht të shtojnë kapacitetet për t’iu përgjigjur ankesave të qytetarëve në rast të vazhdimit të paraqitjes së mëtutjeshme të kësaj dukurie”, thuhet në një komunikatë për media.

Iniciativa “Kthema 1 Cent” ka filluar shtatorin e vitit të kaluar me qëllim të rritjes së vetëdijesimit të qytetarëve për paratë e tyre që qendrat tregtare në Kosovë nuk i kthejnë asnjëherë dhe për t’i nxitur ata që të reagojnë kundër kësaj dukurie duke i kërkuar centët e tyre.