Kthehet prapa ngarkesa me birra, dokumentacioni nuk i referohej Kosovës si shtet

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, gjegjësisht Inspektoriati i Tregut, ka kthyer sot mbrapsht një ngarkesë me birra në terminalin doganor të Mitrovicës

Lajme

30/11/2018 17:30

Lajmi.net merr vesh se kjo ka ndodhur pasi ngarkesa nuk iu ka referuar Kosovës si shtet dhe nuk ka pasur deklaracion të mallit në gjuhën shqipe.

Kjo vjen pas vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë se asnjë mall i cili nuk i referohet Kosovës si shtet nuk do të hyjë brenda vendit, shkruan lajmi.net.

Ndërkohë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, gjatë aktivitetit në kuadër të ‘Javët e Biznesit Kosovar 2018’ tha se përderisa të jetë ai ministër, në Kosovë nuk do të hyjë asnjë produkt që mbanë mbishkrimin “Kosovë e Metohi”

Po ashtu, Qeveria e Kosovës me anë të një vendimi i ka vendosur taksë prej 100 për qind të gjitha mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

E ky vendim, ka ngjallur reagime të shumta liderët serbë por edhe tek ndërkombëtarët. Bashkimi Europian ende është duke bërë presion mbi Kosovën me anë të Përfaqësueses së Lartë, Frederica Mogherini që të hiqet kjo taksë.

Edhe SHBA-të kanë kërkuar nga institucionet e vendit largimin e taksës, por si duket, Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend të bëjë hapa mbrapa sa i përket taksës.

Kushti i tërheqjes së taksës nga qeveria ishte njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, ndërsa Serbia është deklaruar se nuk do të vazhdojë dialogun pa u hequr taksa.

Pas vendimit, ka pasur ulje drastike të mallrave serbe të cilat kanë hyrë në Kosovë. /Lajmi.net/