Kryetari i FR të LDK-së: Brenda partisë u manipuluan votat

Kryetari i Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armdend Ibrahimi, ka hedhur akuza për vjedhje të votave përbrenda partisë. Ai ka thënë se persona të caktuar, po e mbajnë peng LDK-në për interesa klanore dhe personale. 

Lajme

28/06/2014 18:26

Kryetari i të rinjve të LDK-së, sikurse edhe shumë kandidat tjerë për deputet nga kjo parti, nuk kanë mundur të pajtohen me faktin se nuk kanë marrë vota të mjaftueshme për të hyrë në Kuvend.

Ai është i bindur se ka fituar më shumë vota, por ato i janë vjedhur nga kolegët e tij brenda partisë.

“Nuk jam i shqetësuar vetëm për faktin se votat janë manipuluar, por jam thellësisht i zhgënjyer se janë manipuluar brenda LDK-së nga struktura të caktuara, të cilat po e mbajnë peng LDK-në, rritjen dhe fitoren e LDK-së, për interesa të tyre personale dhe klanore”. 

Ibrahimi thotë se, derisa ai po sakrifikohet për LDK-në, ka të tjerë brenda partisë, së drejtuar nga Isa Mustafa, që po e sakrifikojnë partinë për interesa të vetat. 

“E kam potencuar dhe po e ripotencoj, se gjatë gjithë angazhimit tim politik jam prirë nga ideja, që përmes partisë të punojmë për Kosovën, kam sakrifikuar dhe nuk kam kursyer asgjë nga vetja ime, familja dhe nga shoqëria për të mirën e LDK-së, rrjedhimisht Kosovës, përderisa, fatkeqësisht, shumë të tjerë sot, po e sakrifikojnë LDK-në, duke e rrezikuar kështu edhe të ardhmen e Kosovës”.