Kryeministri çek: Nuk lejojmë migrantë të paligjshëm në territorin tonë

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Republikës Çeke u takua të premten për të diskutuar një plan krize, nëse Gjermania vendos të nisë mbylljen e kufijve për grupe të caktuara azilkërkuesish.

Bota

22/06/2018 20:23

“Nuk mund t’i lejojmë këta migrantë të paligjshëm në territorin tonë, sepse kur ata hyjnë në terrenin tonë, bëhen problemi jonë”, tha kryeministri çek, Andrej Babis.

Babis, themelues i partisë populiste ANO, tha se policia, doganat dhe ndoshta ushtria do të dërgohen menjëherë në kufi për të bërë kontrolle, nëse Gjermania mbyll kufirin e saj.

Babis theksoi mbështetjen e tij për një qendër refugjatësh jashtë Evropës dhe për një fushatë më të fuqishme kundër trafikantëve në Mesdhe.

Ai tha se është detyrë e Greqisë, Italisë dhe Spanjës për të monitoruar kufirin jugor të Evropës dhe se shtetet e tjera duhet të dërgojnë ndihmë sipas nevojës.

Republika Çeke dhe vendet e tjera të Vishegradit – Polonia, Hungaria dhe Sllovakia – e kundërshtojnë ashpër skemën e BE-së, që nga viti 2015, për t’i shpërndarë azilkërkuesit nëpër vende të ndryshme të bllokut, në bazë të sistemit të kuotave.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, ka paralajmëruar se nëse kancelarja gjermane, Angela Merkel, nuk gjen mënyrë për të frenuar fluksin e migrantëve, ai do t’i mbyllë kufijtë kombëtarë për grupe të caktuara azilkërkuesish.