Kryeimami Bajgora, pritet të dëshmojë në gjykimin ndaj imamëve

Në gjykimin e katër imamëve dhe Fuad Ramiqit pritet të dëshmojë kryeimami i Kosovës Sabri Bajgora.

Lajme

14/11/2017 13:47

Në gjykimin e liderit të Lëvizjes “LISBA”, Fuad Ramiqit dhe katër imamëve: Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga dhe Mazllam Mazllami të cilët po akuzohen për vepra që lidhen me terrorizëm dhe thirrje për rezistencë, si dëshmitar i radhës u vendos që të ftohet kryeimami I Republikës së Kosovës Sabri Bajgora.

Propozimin për dëshminë e Sabri Bajgorës e bëri Durim Osmani, avokati i Enes Gogës, duke kërkuar që Bajgora të dëshmojë në lidhje me një provë të lexuar nga prokurori.

Kjo provë ka të bëjë me një përgjigje të Bashkësisë Islame të Kosovës  drejtuar Prokurorisë Speciale në lidhje me video-incizimin e ligjëratës së mbajtur nga kryeimami i Pejës Enes Goga.

Sipas përgjigjes së BIK-ut gjatë ligjëratës së tij kryeimami Goga kishe cituar një thënie të Muhamedit e cila flet për çlirimin e Konstandinopojës, por që sipas kësaj letër-përgjigjeje në atë thënie Muhamedi asnjëherë nuk përmend fjalët shpatë, dhunë apo gjakderdhje.

Gjithnjë sipas përgjigjes së BIK-ut drejtuar Prokurorisë Speciale, fjalët e përmendura nga kryeimami Enes Goga gjatë ligjëratës kanë qenë vetëm mendime personale të tij.

BIK-u në letër ka thënë se nuk mbjell urrejtje, ashtu siç, sipas letrës, kishte bërë Enes Goga.

Sa i përket kësaj kërkese për ndihmë që Prokuroria Speciale i kishte drejtuar Bashkësia Islame të Kosovës, avokati Durim Osmani paraqiti vërejtjet e tij, shkruan Kallxo.com.

“Sa i përket kërkesës për ndihmë të nevojshme mbrojtja ka tri vërejtje. Nën një i është drejtuar një institucioni i cili nuk e ka statusin e institucionit publik, nuk e ka epitetin e personit juridik. Nën dy, kërkohet nga Bashkësia Islame ndihma për çështje që kanë të bëjnë me çështje tërësisht laike përveç pyetjes se a gjendet kjo thënie në literaturën islame dhe pyetja e tretë se ligjërimi a ka të bëjë me normat etike të ligjërimit, nuk ka të bëjë me elementet inkriminuese të veprës”, tha avokati Osmani.

Gjatë kësaj seance u bë administrimi i provave të propozuara në aktakuzë si procesverbalet e bastisjeve të akuzuarve si dhe traskriptet e bisedave dhe video-incizimeve të cilat kanë të bëjnë me të akuzuarit.

Ndër të tjera trupi gjykues hodhi poshtë propozimin e prokurorit special Haki Gecaj për dëshminë e zyrtarëve policorë të anti-terrorizmit rreth një video-ligjërate të Enes Gogës.

Prokurori e argumentoi kërkesën e tij me fjalët se gjatë ekzaminimit të kësaj videoje në polici, janë identifikuar 7 persona që ose ishin në luftë në Siri, ose janë gjykuar në Kosovë për terrorizëm.

Propozimi për dëshminë e zyrtarëve të antiterrorizmit u konsiderua i pabazë nga Hajrip Krasniqi, avokati i Idriz Bilibanit, para se të refuzohej nga trupi gjykues.

Sipas aktakuzës, Bedri Robaj që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë, në xhaminë e improvizuar te “Termokosi”, ku ka shërbyer si imam, gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur xhihadin-shehidllëkun në Siri.

“Xhamia” te “Termokosi” ka vepruar jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ndërsa, Idriz Bilibani akuzohet se që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit, në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në xhami – OJQ-në  “El Bejan” dhe paraqitjet e tjera publike të incizuara në video, ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Kurse, Enes Goga, në pozitën e hoxhës në Pejë, në një ligjëratë fetare para besimtarëve në Pejë, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në YouTube, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.

Fuad Ramiqi akuzohet se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit, në televizione, gazeta dhe rrjete sociale, ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.

Sipas Prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve të akuzuarit Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani kanë kryer veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste, kurse të akuzuarit tjerë Ernest Goga e Mazllam Mazllami akuzohen se kanë kryer veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.