Kriza në Zimbabve, presidenti pret fatin e tij

Presidenti i Zimbabves, Robert Mugabe do të takohet me krerët e ushtrisë, nën presionin e madh që të japë dorëheqjen.

Bota

19/11/2017 10:16

Televizionet lokale raportojnë se negociatat do të udhëhiqen nga një prift katolik. Mugabe u mbyll në arrest shtëpie, që prej të mërkurës, kur ushtria mori kontrollin e vendit. Ndërsa ai do të negociojë me ushtrinë, partia e tij qeverisëse, ZanuPF do të diskutojë largimin nga kjo forcë politike e themeluesit dhe liderit të saj.

Ushtria ndërhyri pasi 93 vjeçari Mugabe shkarkoi zëvendësin e tij Emmerson Mnangagwa, duke i hapur rrugën drejt pushtetit gruas së tij Grace Mugabe. Mugabe drejton Zimbabven që prej vitit 1980, kur vendi mori pavarësinë nga Britania dhe analistët thonë se pas dekadash në pushtet, trashëgimi i këtij të fundit ishte lëvizja që solli rrëzimin e tij.

Megjithëse jo zyrtar, ky fakt pranohet nga të gjithë dhe me mijëra njerëz dolën në rrugët e vendit, për të festuar ndërhyrjen e ushtrisë dhe për të nxitur Mugaben që të largohet nga detyra. Duket se pikërisht kjo do të ndodhë, pasi askush nuk është në krahun e Mugabes dhe disfata e tij është e qartë.

Analistët thonë se presidenti Mugabe po e vështirëson me dashje dorëheqjen e tij, në mënyrë që në negociata të marrë sa më shumë garanci për sigurinë e tij dhe të familjes pas largimit nga pushteti./Top Channel