Kosovën e presin projekte madhore dhe vende të reja pune, thotë ministri i Zhvillimit Ekonomik

Nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’ është një nga sukseset më të mëdha që ka arritur Kosova brenda vitit 2017.

Lajme

01/01/2018 13:28

Për ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka viti i ardhshëm do të jetë edhe më i suksesshëm pasi në plan janë edhe shumë projekte tjera.

Në një interviste për lajmi.net, Lluka ka thënë se gjatë mandatit të tij do të bëhet aktivizimi i Trepçës dhe tre minierave të tjera. Sipas tij, do të ketë ristrukturim të Ndërmarrjeve Publike me qëllim të ndalimit të humbjeve të vazhdueshme si dhe do të ketë investime shumë të rëndësishme në infrastrukturën e teknologjisë informative.

Lluka ka theksuar se fokusimi në sektorin e teknologjisë informative do të përkthehet në më shumë eksporte të shërbimeve të kësaj fushe dhe më tepër punësim të të rinjve.

Po ashtu, ai ka shtuar se Kosovën e pret një rritje e madhe e eksportit.

Për më shumë lexoni intervistën e plotë:

Si e vlerësoni rrjedhën e vitit 2017 për AKR-në dhe për juve personalisht?

Për AKR viti 2017 ka sjellë një sukses të mirë në politikë, me një riorganizim dhe mobilizim të strukturës politike që shënojë me ngritjen e saj. AKR ka qenë edhe vendimmarrëse në shumë procese të rëndësishme të vendit që rezultojë edhe me formimin e qeverisë së Kosovës.

Si ministër i Zhvillimit Ekonomik cilat janë synimet e juaja për vitin 2018 dhe për gjithë mandatin?

Viti 2018 do të jetë vit i “Gjelbër” ku fokus të veçantë do të kenë Efiçienca e Energjisë, Energjia e Ripërtërishme si dhe Ambienti. Do të intensifikohen projektet në efiçiencë të energjisë ku do të futen mbi 50 milionë euro për të rregulluar objektet publike me qëllim të kursimit të energjisë, do të zgjerohen rrjetet e Termokosit dhe ngrohtores së Gjakovës, do të instalohen orë matëse në ngrohtoret e qyteteve, do të zgjerohen licencat për energji solare, do të kemi gjenerim të energjisë me erë, do të fillojnë studimet e fizibiliteteve për shumë qytete tjera për ngrohtore të qyteteve si dhe do të finalizohet ligji për efiçiencë të energjisë i cili parasheh edhe krijimin e fondit për efiçiencë të energjisë që pritet të themelohet deri në Q3 të vitit 2018.

Për të gjithë mandatin do të ketë aktivizim të Trepçës dhe të paktën 3 minierave të tjera, do të ketë ristrukturim të Ndërmarrjeve Publike me qëllim të ndalimit të humbjeve të vazhdueshme si dhe do të ketë investime shumë të rëndësishme në infrastrukturën e teknologjisë informative, duke shtrirë kabllo optik në të gjithë vendin për të mbuluar 98% të territorit të Kosovës.

Si e shihni nënshkrimin e marrëveshjes mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane ‘Contour Global’ për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’?

Nënshkrimi i marrëveshjes është një hap historik për vendin pasi që garanton pavarësi energjetike si dhe përmirësim të sektorit energjetik në vend. Termocentrali Kosova e Re do të siguroj energji bazë që do të përdoret për Kosovë dhe Shqipëri, prandaj funksionalizimi i tregut të përbashkët me Shqipërinë jo vetëm që zvogëlon humbjet e energjisë, por gjithashtu optimizon përdorimin e energjisë për të dy vendet. Shembull konkret është kur gjatë periudhës së verës dhe gjatë natës, Kosova ka mbi prodhim të energjisë dhe këtë mbiprodhim mund ta eksportoj në Shqipëri. Në anën tjetër, gjatë përdorimit të mbiprodhimit nga ana e Shqipërisë, Shqipëria mund t’i mbush digat me ujë për të deponuar energjinë dhe për ta shfrytëzuar atë në kohën e pikut, kur energjia është më e shtrenjtë. Po në të njëjtën kohë, i kthehet Kosovës energjia e përdorur gjatë natës dhe gjatë verës.

Për më tepër, Termocentrali Kosova e Re do të përmirësoj dukshëm ambientin pasi që parashihet të përdoret teknologji e avancuar e cila nuk lejon emitim të copëzave të dëmshme për shëndetin. Gjithashtu, me fillimin e Termocentralit Kosova e Re, Termocentrali Kosova A do të mbyllet dhe do të rehabilitohet Termocentrali Kosova B. Të gjitha këto veprime sigurojnë një ambient më të pastër dhe më të shëndetshëm për qytetarët tanë.

Termocentrali Kosova e Re do te djegë 40% me pak qymyr sesa Kosova A dhe 25% më pak se Kosova B. Thënë ndryshe, ne sot djegim 1.8 ton qymyr për 1 megavat energji, kurse me Termocentralin Kosova e Re do të djegim rreth 1.1 ton.

Në fund, termocentrali Kosova e Re do të ketë 25 herë më pak emitime të Sulfurit, 20 herë me pak emitim të pluhurit dhe 3.8 here me pak emitim të dioksid karbonit.

Gjatë mandatit tuaj a pritet të ketë investime tjera të jashtme dhe hapje të reja të vendeve të punës?

Një ndër prioritetet kryesore të mandatit tim është aktivizimi i sektorit minerar dhe tërheqja e investimeve të huaja në ketë industri. Tashmë veç kam filluar punën në ketë aspekt duke filluar procedurat për hapjen e 3 zonave me interes të veçantë, gjë që do të mundësoj investime të huaja. Për më tepër, aktivizimi i Trepçës gjithashtu do të përkthehet në investime të huaja për zhvillimin e këtij gjiganti.

Investimet e huaja zënë vend të veçantë gjithashtu në fushën e projekteve madhore siç janë Trajtimi i Ujërave të Zeza dhe Menaxhimi i Mbeturinave dhe krijimi i energjisë dhe energjisë termike nga djegia e tyre.

A do të ketë rritje të eksportit brenda mandatit tuaj?

Me aktivizimin e sektorit minerar, rritja e eksporteve do të sheh ndikim jashtëzakonisht të madh. Edhe për momentin, nëse analizohen eksportet e Kosovës, mineralet zënë një vend shumë me rëndësi.

Gjithashtu, fokusimi në sektorin e teknologjisë informative do të përkthehet në më shumë eksporte të shërbimeve të kësaj fushe dhe më tepër punësim të të rinjve në teknologji informative.

Mesazhi juaj për gjithë qytetarët për Vitin e Ri?

Të gjithë qytetarëve ju dëshiroj një vit të mbarë, të suksesshëm dhe me shëndet të plotë së bashku me familje. Viti 2018 do të jetë një kthesë pozitive për vendin pasi që jemi të obliguar të ballafaqohemi me çështje shumë të mëdha për vendin. Nëse këto çështje i tejkalojmë me sukses, atëherë vendi do të sheh ditë më të mira se nga ato aktuale. Unë jam shumë optimist për të ardhmen e vendit dhe nëse punojmë me përkushtim të plotë, ditët e mira janë të pa evitueshme për të gjithë ne./Lajmi.net/