Kosovë, të dua!

Fjalimi i plotë i kandidatit për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapjen e fushatës zgjedhore, sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Lajme

31/05/2017 16:26

“Faleminderit për ardhjen tuaj sot këtu, kaq të madhe,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

shqiptarë kudo që jeni, që të arrijmë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë, u flijuan ndër shekuj më të mirët tonë. Lavdi të rënëve për liri!

Pushtuesit erdhën e shkuan, s’i mbajti kjo tokë.

Regjime e pushtete u ndërruan,

Ne mbetëm!

Askush s’e mundi Kosovën.

Ashtu si e ruajtën njerëzit e vet Kosovën, ashtu e ruajti Zoti për ne.

Ne, që e ruajtëm me mijëra vjet Kosovën,

Ne jemi integriteti territorial,

Ne jemi sovraniteti.

Ne jemi kufijtë e sigurt,

Ne jemi Ushtria.

Ne jemi bijtë e bijat e kësaj toke.

Edhe unë jam biri yt, Kosovë.

Kosovë, të dua. Kosovë, të shërbej pa kushte

Deri në sakrificë.

Jam dhe do mbetem përherë biri Yt.

Qytetarë të nderuar,

Askush s’do ta mund Kosovën asnjëherë. As korrupsioni.

Kosova po na thërret që ta mundim korrupsionin, krimin, terrorizmin.

Që ta mundim lakminë joligjore, që ta mundim inatin e dëmshëm mes vete, që të kemi shtet ligjorë.

Që të kemi prokurorë e gjyqtarë, e gjyqe që ju besojmë.

Që të kemi polici e ushtri që na bindin se jemi të sigurt.

Kosova po na thërret të kemi ekonomi.

Të rrisim ekonominë e vendit. Të rrisim prodhimin vendor.

Të investojmë tek të rinjtë tonë e tek gratë kosovare.

Ta sjellim në Kosovë fuqinë e dijes dhe investuesin e diasporës.

Të investojmë te bizneset tona të vogla e të mesme.

Të investojmë në bujqësi, të rrisim prodhimin e ushqimit, të hajmë ushqim të shëndoshë, nga toka jonë dhe duart tona.

Që të aktivizojmë minierat e qymyrit e të metaleve e t’i sjellim në Kosovë kompanitë më të fuqishme të botës që të investojnë.

Që ti rrisim rezervat e ujit, që të kemi furnizim të bollshëm me ujë e t’ia heqim dertin qytetarit përgjithmonë.

Ta kthejmë Kosovën në fuqi ekonomike.

Ta rrisim buxhetin pa ndalë.

T’ia garantojmë punëtorit tonë, të drejtat e tij.

T’ia njohim stazhin e punës, të mohuar padrejtësisht

T’i rrisim pagat e pensionet,

Të rrisim pagën minimale,

Të garantojmë pension për personat me aftësi të kufizuara.

Të japim shtesat për fëmijë,

T’i bëjmë të pastrehët me shtëpi,

Të fitojë humanizmi ynë.

Kosova na thërret ta shërojmë Shëndetësinë.

Ta garantojmë shërimin e njeriut tonë në Kosovë, dhe vetëm në Kosovë.

Kosova na thërret të garantojmë arsim vetëm në funksion të dijes dhe të punës

Kosova na thërret që të ruajmë identitetin tonë kombëtar, fetar, kulturën tonë të lashtë e me vlerë botërore.

Sportistët tanë, kampionë edhe olimpik,

Na thërrasin për infrastrukturë sportive dhe buxhet kampionësh.

E ndjejmë thellë thirrjen për ambientin tonë.

Për tokën, ujin, ajrin,

Për vete, për mushkëritë tona, e të fëmijëve tanë,

E ndjejmë thirrjen për komunitetet tona që jetojnë në Kosovë;

Për serbët, turqit, boshjnakët, romët, ashkalinjët, egjiptasit, goranët, të gjithë,

Që të ndihen zot shtëpie në shtëpitë e tyre, në atdheun e tyre, në Kosovë.

E ndjejmë thirrjen e vjetër, mijëravjeqare të kombit shqiptar në Ballkan, i ndarë padrejtësisht, që të bashkohet.

E ndjejmë thirrjen e Kosovës për Evropën, për familjen tonë, e ku shpejt do të lëvizim lirshëm pa viza.

Për NATO-n, që është aleanca jonë.

E ndjejmë thirrjen për miqësinë e përjetshme me Amerikën që ishte dhe mbetet ëngjëlli ynë mbrojtës.

Sot, jemi këtu se na ka thirrë Kosova,

Jo për ta lënë Kosovën që të pret në radhë,

Por për ta bërë qeverinë që e bën Kosovën kampion, jo vetëm në regjion.

Pra, për Kosovën që fiton.

Ju kemi thirr  sot për fitoren e Kosovës. Për fitoren e koalicionin tuaj PDK-AAK-NISMA, dhe të tjerët, me numrin 12.

Votoni të gjithë me 11 qershor.

Votoni listën tuaj.

Votoni Fillimin e  Ri.

Urime Fitorja

Faleminderit”.

*Fjalimi i Ramush Haradinajt në hapje të fushatës zgjedhore