Kosovarët kanë qindra euro borxh nëpër shitore të lagjeve

Kosovarët marrin çdo ditë borxhe nëpër shitore.

Lajme

03/01/2017 12:23

Pavarësisht që nëpër disa shitore të lagjeve është njoftimi se nuk japin veresi, kjo gjë nuk aplikohet. Nëpër shitore të tilla, shuma e borxheve të qytetarëve është më e vogël, krahas atyre që nuk kanë ndonjë njoftim të llojit të tillë, shkruan lajmi.net

Shuma prej të cilës fillon borxhi është 20 euro dhe vazhdon deri në 800 euro e më shumë.

Qytetarët i kthejnë borxhet në fund të muajit, por sipas disa shitësve, në shumat e mëdha si 700 euro apo 800 euro, ato borxhe mbesin, nga që qytetarët paguajnë vetëm një pjesë të këtyre shumave.

“Paret i kthejnë kur t’i marrin rrogat, po do s’po mujnë meniherë krejt se po hinë borxh kah 700-800 euro”, ka thënë një shitës në qytetin e Prishtinës, për lajmi.net

Ai ka theksuar se marrja e borxhit rritet, nëse vet shitësi nuk ua kufizon shumën deri në sa euro mund të marrin. “Mos me i nalë, jo 700-800, po me mija euro hyjnë borxh, e i kthejnë ngapak tani kur të mujnë.”

Një tjetër shitëse ka thënë për lajmi.net që ndonëse e ka njoftimin tek arka që nuk japin veresi, sërish ka familje të cilave ua lejojnë të marrin borxh, me kusht që t’ua kthejnë paratë në fund të muajit, kur të merren pagat. Shuma maksimale në të cilën kanë hyrë borxh tek ajo ka qenë shifra 30 euro.

”20 euro, 30, ma shumë s’marrin borxh. Zakonisht janë familjarë edhe që i njohim, se kështu nuk japim veresi,” ka theksuar ajo.

Disa shitës të tjerë treguan për lajmi.net listat e gjata të personave të cilët kanë marrë borxhe, që prisnin të shlyheshin.

Sipas tyre, qytetarët e Kosovës presin gjithnjë fundin e muajit për të marrë pagat në mënyrë që të lajnë borxhet, ndërkohë që gjysmën e muajit të ardhshëm, të marrin borxhe sërish, nga mungesa e parave për të blerë gjërat elementare./Lajmi.net/

 

 

 

Type a message…