Kosova për 7 vjet humbë 369 milionë euro investime

Sipas raportit të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC), që u prezantua në Dubrovnik të Kroacisë nga viti 2010 në Kosovë ka një rënie drastike të investimeve të huaja, edhe atë prej 35 përqind apo një humbje investimesh prej rreth 369 milionë euro.

Lajme

30/06/2017 15:03

Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten sfidat kryesore të shteteve të Ballkanit e që po ndikojnë keq qoftë në krijimin e vendeve të reja të punës apo edhe në investimet e huaja.

Kosova, pikërisht në këto dy sfida po qëndron më së keqi në rajon. Nga viti 2010 ka një rënie drastike të investimeve të huaja prej gjithsej 35 përqind apo një humbje prej rreth 369 milionë euro.

Goran Svilanovic, sekretar general i Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC) në një prononcim për rtklive.com ka thënë se Kosova ka krijuar diçka më shumë se 50 mijë vende të reja të punës në pesë vitet e fundit.

Sipas raportit të RCC që u prezantua në Dubrovnik përmendet edhe një progres që ka shënuar Kosova nga viti 2015 kur kishte krijuar 9.929 ndërmarrje. Më 2016 janë krijuar 10.445 ndërmarrje.

Investimet e huaja kanë rënë dukshëm nga viti 2010. Brenda shtatë viteve ato kanë rënë për 369 milion euro që do të thotë një rënie prej 35 për qind.

Kur është në pyetje punësimi i grupmoshave 20-64 vjeç, ekonomia ka përmubshur vetëm 42 përqind targetin e përcaktuar për vitin 2020.

Në Shqipëri situate është më e mirë ku me 68 për qind është përmbushur targeti për punësimin e grupmoshave 20-64 vjeç. Shteti shqiptar është lider në rajon në shkëmbimin e të produkteve, me 111 për qind të targetit 2020 duke e kaluar përqindjen e dëshiruar. Sipas raportit të RCC shteti shqiptar ka bërë përparim të madh edhe në shtimin e njerëzve me shkollim profesional në tregun e punës. Targeti i përcaktuar më 2020 është përmbushur sipas të njejtit raport me 88 për qind.

Lidere në rajon sa i përket punësimeve mbetet Serbia ku në 4 vitet e fundit janë hapur 300 mijë vende të reja të punës.

Ministrja në detyrë e zhvillimit ekonomik, Mimoza Ahmetaj ka thënë se në raportin e RCC ka të gjetura që konfirmojnë situatën në Kosovë dhe disa të tjera që kanë nevojë të azhurnohen./RTK