Kosova në mot themelon kompaninë ajrore?

Autoritetet qeveritare në Kosovë premtojnë se gjatë vitit të ardhshëm do të angazhohen në krijimin e një kompanie shtetërore ajrore.

Lajme

26/12/2017 17:29

 

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha për Radion Evropa e Lirë se për këtë çështje është në konsultime më ekspertë të fushës përkatëse.

“Sa i përket kompanisë shtetërore kosovare, mendoj se në atë drejtim ne duhet të veprojmë, por që deri më tani nuk ka pasur ndonjë lëvizje që të kemi ndonjë avio-kompani shtetërore vendore, sikurse që ka çdo shtet. Unë jam në konsultime më ekspertët dhe në vitin 2018 do t’i qasemi seriozisht kësaj pune”, tha ministri Lekaj.

Por, ekspertë të aviacionit civilë, ndërkaq konsiderojnë se situata ekonomike në Kosovë nuk është në favor të posedimit të kompanive ajrore.

Afrim Aziri, ish-drejtor në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, për Radion Evropa e Lirë tha se aktualisht nuk është momenti për një investim të tillë.

Sipas tij, ky është biznes shumë i shtrenjtë dhe ka kosto të lartë, e po ashtu edhe konkurrenca është shumë e madhe, andaj edhe hyrja në këtë treg, thotë ai, është shumë e vështirë.

Por, përveç këtyre, themelimin e një kompanie ajrore shtetërore ai e vlerëson të pamundur, për shkak se Kosova nuk është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ONAC).

Megjithatë, Aziri shprehet se shteti ka mundësi t’i japë të drejtën ndonjë kompanie të regjistruar në vendet e Bashkimit Evropian, që të operojë në emër të Kosovës.

“Ne jemi zbatues të legjislacionit të BE-se në këtë drejtim, dhe ai legjislacion nuk e inkurajon apo përkrahë formimin e kompanive shtetërore në këtë fushë”.

“Problemi tjetër është se Kosova nuk anëtare në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, agjenci kjo e Kombeve të Bashkuara për Aviacion Civil, ku janë 190 shtete anëtare dhe regjistrimi i kësaj kompanie do të kishte implikime në njohjen e shteteve në të cilat do të fluturonte kompania shtetërore”.

“Kështu që nuk mendoj se është momenti, por edhe nuk vlerësoj se ka arsyeshmëri ekonomike të bëhej një gjë e tillë”, thotë Aziri.

Ndërkaq, Ali Aliu, piloti i parë kosovar që ka drejtuar aeroplanët reaktivë dhe supersonikë në ish-Armatën Popullore të ish-Jugosllavisë, thotë se shteti i Kosovë nuk ka mundësi financiare për një investim të tillë.

Kurse, sa u përket kuadrove profesionale, ai thotë se në Kosovë ka mungesë, por mund të sigurohen nga shtetet e rajonit.

“Është problem blerja e aeroplanëve, servisimi i tyre dhe gjërat tjera përcjellëse janë shumë të kushtueshme. Duke marrë parasysh buxhetin e Kosovës, i cili është rreth dy miliardë euro, kjo është e pamjaftueshme, sepse për të një investim të tillë nevojiten miliarda”, shprehet Aliu.

Në anën tjetër, Afrim Aziri vlerëson se në rrethanat aktuale shteti i Kosovës nuk ka mundësi të krijojë kompani shtetërore, por ka mundësi që përmes politikave lehtësuese, siç thotë ai, të disa investimeve që aktualisht është duke bërë Qeveria e Kosovës në aeroport, të zhvillojë tregun e aviacionit.

“Shteti në këtë rast duke marrë për bazë gjendjen ekonomike që ka Kosova, mund të punojë në krijimin e tregut. Faktikisht me liberalizimin e vizave do të krijohet një treg më i madh. Dhe normalisht të reagohet në këto ‘lojërat’ që i ka bërë rajoni. Sidomos Maqedonia ka bërë subvencionime për kompanitë që fluturojnë me kosto të ulët. Faktikisht është bërë ‘vjedhja’ e udhëtareve të Kosovës nga ana e kompanive që operojnë në Maqedoni”, thekson ai.

Ndryshe, në Kosovë ekziston Ligji i aviacionit publik i miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Në këtë ligj thuhet se përdorimi i hapësirës ajrore të Kosovës është i lirë për të gjithë avionët civilë të regjistruar në Kosovë, por që duhet të mbajnë markën shtetërore e cila i është ndarëKosovës nga ana e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, gjatë këtij viti kanë operuar 35 kompani të huaja. Shumica e tyre vijnë nga shtetet e Bashkimit Evropian. Zyrtarë të këtij aeroporti kanë thënë se gjatë vitit 2017, ka pasur numër rekord të pasagjerëve, apo mbi 1. 9 milion dhe mbi 15 mijë fluturime.