Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje të reja!

Zgjedhjet e së dielës nuk i kanë dhënë sigurinë për të formuar Qeverinë e re asnjë subjekti politik, prandaj analistët politikë në vend thonë se vendi mund të shkoj në zgjedhje të reja të parakohshme.

Lajme

12/06/2017 13:55

Sipas tyre, nëse koalicioni fitues e i zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma nuk arrin që së bashku me pakicat të formoj Qeverinë e re, atëherë mbetët në vullnetin e presidentit të mundësinë për formimin e Qeverisë t’ua jap subjekteve humbëse të zgjedhjeve, ose që vendi të shkoj në zgjedhje të reja.

Politologu, Belul Beqaj ka thënë se rezultati në zgjedhjet e 11 qershorit është arsye e rëndësishme që subjektet politike të analizojnë dështimet.

“Rezultati i zgjedhjeve është një arsye shumë e rëndësishme për të vlerësuar dështimet subjektet politike të cilat kanë qenë në periudha të ndryshme rreth 17 vite në pushtet. Në anën tjetër pikërisht ky rezultat duhet të shërbej si arsye shumë serioze për të rishikuar qëllimet dhe mënyrat e realizimit të synimeve politike të Vetëvendosjes, e cila pretendon për të ardhur në pushtet”, ka deklaruar Beqaj për lajmi.net.

Kurse i pyetur se a pret që do të ketë formim të shpejt të Qeverisë, apo se a mund të ketë sërish një përpjekje të subjekteve humbëse të zgjedhjeve për të bërë koalicion, Beqaj ka thënë se nuk duhet të përsëritet gabimi i humbësve të zgjedhjeve të vitit 2014, kur u munduan që përmes sigurimit të shumicës së deputeteve ta lënë në opozitë partinë fituese. Beqaj ka thënë s shkuarja në zgjedhje të reja është mundësi reale.

“çështje krejt tjetër është formimi i Qeverisë, për arsye se anjë subjekt politik që pretendon për të mos i përsëritur gabimet, nuk duhet të shkoj në koalicione vetëm duke i pasur parasysh numrat. Numrat gjithsesi janë parakusht për koalicionin e ardhshëm, por numrat edhe koalicioni i mëparshëm i ka pasur, madje më shumë se dy të tretat, por e pamë si përfundoi. Prandaj më mirë është të shkohet në rizgjedhje me koncepte shumë të qarta edhe ideologjike edhe programore sesa me premtime dhe marrëveshje të rrejshme”, ka përfunduar Beqaj.

Ndërsa opinionisti, Imer Mushkolaj ka thënë se në bazë të rezultateve aktuale, koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) së bashku me pakicat mund ta formoj Qeverinë e re, por sipas tij, një qeveri e tillë do të ishte shumë e brishtë.

“Rezultate dëshpëruese për dy koalicionet, shumë dëshpëruese. Duhet të pritet certifikimi i kandidatëve për të parë kush sa ka fitua. Me rezultatin aktual, unë po besoj që PAN bashkë me pakicat do të mund ta krijojë një qeveri, por e cila nuk do t’i duhej fare Kosovës në këtë kohë, për shkak se do të ishte një qeveri e shumicës së thjesht dhe duke pas parasysh se pse është prish koalicioni paraprak kur me gati 90 vota thuhej se nuk po mund të merren vendime të mëdha, mund ta marrim parasysh se çfarë situate mund të kemi tani kur vendimet e tilla pretendohet se mund të merren me 61 vota”, ka vlerësuar Mushkolaj për lajmi.net.

Kurse, sa i përket mundësisë së bërjes së një koalicioni të shumicës nga subjektet që i kanë humbur zgjedhjet, pra nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga koalicioni LDK-AKR, Mushkolaj ka thënë se problem në këtë aspekt paraqet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese pas zgjedhjeve të vitit 2014. Megjithatë, Mushkolaj thotë se nëse koalicioni PAN nuk arrin ta formoj qeverinë, atëherë mbetet në vullnetin presidentit nëse do të shkohet në zgjedhje të reja apo jo.

“Është një problem shtesë duke e pas parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese i cili na thotë se megjithatë  kryetari i Kuvendit i takon grupit parlamentar ose subjektit që i fiton zgjedhjet, pastaj mbetet në diskrecionin e presidentit, i cili për njëmend e ka këtë të drejtë, varet sa do të ketë  vullnet që përgjegjësinë t’ia bartë shumicës parlamentare. Neni 94 i aktgjykimit e sqaron këtë çështje, ku thotë se presidenti duhet me ruajt stabilitetin dhe ka mundësi me shmang shkuarjen në zgjedhje. Nëse Thaçi nuk e tregon këtë vullnet , atëherë vendi duhet ët shkoj në zgjedhje, prapë po them nëse nuk arrihet të krijohet koalicioni qeverisës”, ka shtuar Mushjkolaj./Lajmi.net/