Korrupsion me shegë, arrestohen pesë zyrtarë në Elbasan

Me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 5 zyrtarë të Njësisë Administrative Gjegjan, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentash” dhe “Korrupsion pasiv”.

Lajme

15/06/2016 10:30

Me veprimet e tyre, këta zyrtarë, sipas Prokurorisë së Elbasanit, i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 350 milinë lekësh.

Të arrestuarit janë Ylli Ago, Bardhyl Sharra, Fatmir Lamçja dhe Rexhep Hoxha, ndërsa administratorja e njësisë, Lumturi Hoxha, njëkohësisht ish-kryetare kur kjo njësi ishte komunë, është shpallur në kërkim.

Prokuroria thotë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta zyrtarë kanë kryer veprime fiktive në të paktën dy procedura prokurimi, duke përvetësuar thuajse tërësisht shumën e parave të caktuara për ndërtimin e një landfilli mbeturinash në zonë, si edhe të pyllëzimit të një sipërfaqe 50 hektarë me pemë shegë.

Nga ish-komuna Gjegjan është prokuruar fondi 1.250.000 lekë të rinj për ndërtimin e landifillit të mbeturinave në këtë zonë, në vitin 2014. Ky punim duhej të mbyllej brenda vitit. Aktualisht, nga veprimet hetimore të Prokurorisë, rezulton se landifilli jo vetëm që nuk është ndërtuar, por e gjithë zona është e rrethuar dhe përdoret nga një subjekt privat.

Ndërkohë, në dokumentat e ish-komunës Gjegjan dhe aktualisht Njësia Administrative Gjegjan, rezulton që landfilli është përfunduar dhe vënë në punë. Për këtë prokurim fiktiv është bërë edhe pagesa, pavarësisht se puna nuk është kryer.

Po në vitin 2014, ish-komuna Gjegjan ka realizuar prokurimin publik për pyllëzimin të 50 hektarë tokë bujqësore me pemën Shegë, me vlerë 32.5 milionë lekë të reja. Sipas parashikimit, pemët këtë vit duhej të nisnin të jepnin prodhimet e para. Ndërkohë, nga kqyrja në terren, rezulton se në hapësirën bujqësore të prokuruar nuk ka asnjë pemë shegë. Po për këtë prokurim, shuma e parashikuar rezulton e paguar e gjitha.

Veç pesë personave të lartpërmendur, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” edhe për pesë të tjerë, ndërkohë që prokuroria vijon hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti./ lajmi.net.