Korenica: Vendimi i Kushtetueses i balancuar, Qeveria duhet të tërheqë Marrëveshjen dhe ta rinegociojë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me vendimin e saj për Asociacionin e Komunave Serbe, të publikuar të mërkurën pasdite, ka ndjekur një kurs tepër të balancuar edhe politik, vlerëson analisti Fisnik Korenica.

Lajme

24/12/2015 11:45

Kushtetuesja në vendimin e saj përveç që ka konstatuar se kjo marrëveshje në pjesë të caktura të saj është në kundërshtim me Kushtetutën, nuk ka marrë vendim për anulimin e tërësishëm të saj dhe një vendim i tillë sipas Fisnik Korenicës nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GSPJ), është vendim banal.

Ai ka thënë për lajmi.net se Kushtetuesja nuk është dashur të marr një vendim të tillë, të paqartë, i cili mund të prodhojë shkelje të reja kushtetuese.

“Në esencë, pra, Gjykata i konkludon si në kundërshtim me frymën kushtetutës parimet kryesore të Asociacionit, por nuk e anulon në mënyrë eksplicite Marrëveshjen mbi Asociacionin. Ikjen nga detyrimi për ta anuluar, Gjykata e arsyeton me një fakt banal, që kinse Marrëveshja mbi Asociacionin nuk përbën akt juridik (që është absurd në vetvete, sepse, po të mos prodhonte efekte juridike, marrëveshja as nuk do të vlerësohej fare nga Gjykata; gjykata ushtron juridiksion vetëm mbi akte përkatësisht detyrime që janë qartazi të natyrës juridike, të afta për të prodhuar implikime kushtetuese)”, ka thënë Korenica, për lajmi.net.

Ai ka thënë se Qeveria nuk mund të lë në fuqi një marrëveshje parimet e së cilës janë shpallur anti-kushtetuese, por sipas tij, ekzekutivi duhet të tërhiqet dhe ta diskutojë përsëri këtë marrëveshje.

“Topi tash është në anën e Qeverisë. Kjo e fundit, prandaj, duhet të tërhiqet dhe pastaj të rinegocioj marrëveshjen, duke iu nënshtruar parimeve të vendosura në vendimin e Gjykatës”.

“E kundërta nuk është e mundur, sepse pretendimi që kundërkushtetutshmëria mënjanohet vetëm përmes Statutit dhe Dekretit është i pavërtetë, meqë akti që prodhon gjerësinë e autorizimit dhe obligimit për Asociacionin është Marrëveshja e jo anasjelltas (statuti dhe dekreti)”, ka thënë Korenica njohës i çështjeve politike dhe juridike.

Gjykata Kushtetuese dje ka publikuar vendimin për Asociacionin në bazë të së cilës ka konstatuar si disa nga pikat e kësaj marrëveshje janë atni-kushtetuese.

“KONSTATOJ që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Ky vendim i organit më të lartë kushtetues të Kosovës, për Asociacionin është kundërshtuar  nga zyrtarë të Qeverisë së Serbisë, të cilët kanë kërkuar që marrëveshje për Asociacionin të zbatohet në përpikëri mbi parimet e nënshkruara me 25 gusht të këtij viti. /lajmi.net.