Konventa e PDK-së, ka alarmuar partitë tjera

Konventa e tetë e Partisë Demokratike të Kosovës që zgjati dy ditë radhazi gjatë vikendit të kaluar e ku morën pjesë mijëra aktivistë, ka alarmuar partitë tjera politike.

Lajme

27/03/2017 20:47

Fjalimi i kryetarit të PDK-së Kadri Veseli i cili në fund paralajmëroi një fillim të ri, i ka shtyrë partitë politike të mendojnë se zgjedhjet e reja parlamentare janë shumë afër.

“Konventa e PDK-së e mbajtur në këtë vikend ishte glamuroze dhe e përgatitur mjaft mirë, e cila lë të nënkuptohet se tashmë Kadri Veseli e ka mbledhur ekipin e tij të fushatës zgjedhore. Kësaj qeverisje, si duket nuk i ka mbetur më asgjë për të qeverisur dhe për këtë vetëm zyrtarët e LDK-së ende nuk janë bindur”, ka thënë një zyrtarë i lartë i LDK-së i cili vlerëson se partia e tij duhet të mendoj për zgjedhjet e reja pasi nuk mundet më të vazhdoj qeverisjen e vetme dhe pa mbështetjen e askujt.

E mbetur peng e disa prej temave të mëdha, si demarkacioni, asociacioni, liberalizimi i vizave, kjo qeverisje në tërë mandatin e saj nuk ka lënë asnjë gjurmë të mirë qeverisjes dhe të arriturat e saj janë tejet të pavërejtshme.

Kryeministri Mustafa, i cili ishte kritik i madh i qeverisjeve të kaluara kishte njërën prej performancave më të këqija që njeh historia jonë e re e shtetndërtimit, kurse tani si duket edhe partneri i tij qeverisës është duke i dëshiruar me të madhe zgjedhjet.

Madje, për tu bërë gati për zgjedhje, Mustafës kanë filluar duke ia lëshuar qeverinë edhe zëvendësministrat e PDK-së.

Një angazhim për zgjedhje si në Partinë Demokratike të Kosovës dhe në Lëvizjen Vetëvendosje, faktikisht nuk po vërehet edhe tek subjektet e tjera politike.

Se çfarë na pret e ardhmja e afërt, mbetet ende e paparashikueshme. Por, ajo që po shihet është se zgjedhjet janë shumë afër dhe përshpejtimit të tyre nuk po i prin opozita, por vetë PDK-ja.

Derisa PDK-ja mban konventa glamuroze për rikonfirmimin e kryetarit të saj si kandidat për kryeministër, subjektet e tjera po mjaftohen vetëm me deklarata për të treguar se kush do të jetë pretendenti i tyre për kryeministër.

Para disa ditësh ishte vetë lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ai që tregoi se nuk do të jetë ai kandidat i kësaj lëvizjeje për kryeministër, por Albin Kurti.

Për AAK-në dhe AKR-në dihet se kandidatë do të jenë Ramush Haradinaj dhe Behgjet Pacolli.

Ndërsa, për LDK-në, edhe pse 65 vjeçar, sërish pritet të kandidojë për kryeministër vetë Isa Mustafa.