Kontest i ri mes Janevës dhe Zvërlevskit

Procedurat e reja që u hapën për bombat me përmbajtje intime, që dy muajt e fundit u publikuan në internet, pritet të shkaktojnë përplasje të reja mes Katica Janevës dhe Marko Zvërlevskit.

Lajme

11/04/2016 19:08

 

Me fjalë tjera, të dy prokuroritë kanë nisur procedura për këto raste, që nënkupton se edhe njëra edhe pala tjetër konsiderojnë se janë kompetentë për këto lëndë.

Në gjë e tillë u konfirmua zyrtarisht nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë.

“Kur jemi te kompetencat, Ju njoftojmë se Prokuroria themelore publike Shkup tashmë i procedon këto lëndë në përputhje me kompetencat e saj nga Kodi penal, Ligji për prokurori publike dhe Ligji për procedurë penale”, thanë nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë.

Jozyrtarisht, nga kjo Prokurori shtojnë se kompetencën e mbështesin në faktin se vepra penale me bombat e publikuara intime janë bërë në vitin 2016, gjegjësisht jashtë fushës së veprimit të prokurorisë speciale që përfundon në vitin 2015.

Nga ana tjetër, nga Prokuroria speciale nuk morëm përgjigje zyrtare. Mirëpo jozyrtarisht mësojmë se edhe kjo prokurori konsideron se është kompetente për hetimin e lëndëve lidhur me bombat e publikuara. Këta, kompetencën e mbështesin në arsyeshmërinë e dyshimeve se edhe këto biseda janë regjistruar në institucionet shtetërore në periudhën 2008-2015. Në këtë mënyrë, pa marrë parasysh nëse materialet janë shfrytëzuar për vepra penale edhe pas vitit 2015, në Prokurorinë Speciale janë të bindur se nëse nuk do të kishte regjistrim të paligjshëm, atëherë nuk do të kishte vepra të reja penale.

Këto dallime në interpretime pritet të aktualizohen në kohën kur do të ngrihen aktakuzat para gjykatave kompetente, në veçanti kur të dëmtuarit janë të njohur në opinion.